Fermerët e Korçës dhe festa e kombëtares

0

Nga Xhensil Shkëmbi

30 minuta breshër në Voskop të Korçës sot dhe mbi një orë breshër dje në Kolonjë shkatërroi pothuajse gjithçka, domaten, specin, rrushin, kumbullën e mollën.

Mediat shqiptare më tepër sesa të trajtonin problemin e dëmtimit të prodhimit në bujqësi bënin krahasimin “Në Tiranë 40 gradë, në Ersekë bie breshër. Ku do doje te ishe?” – pothuajse një tallje me ata të cilët u duhet të vuajnë pasojat.

Gjithë mediat sot flasin për kombëtaren shqiptare. Nuk jam kundër. Edhe unë do shoh ndeshjen, do bërtas e uroj me shpirt të fitojmë.

Por më tepër sesa një humbje me Spanjën me dhemb humbja e prodhimit në juglindje të vendit. Me dhemb loti i gruas që intervistova sot në Voskop.

“Djali më iku Gjermani, punonte kamarier këtu por nuk i dilte. Mbaroi shkollën por nuk e futi asnjë në punë. I kërkonin lek. Iku Gjermani. Unë me burrin merrem me domatet e mollët. Me duket se u goditën keq nga breshëri dhe nuk besoj te shesim gjë. Me këtë punë hamë bukë, mbajmë frymën ” – tha, teksa fshinte lotët.

Nga ana tjetër, fermerët e Devollit për të 5 vit radhazi dëmtohen në frutikulturë, aq sa po presin mollët. Shteti asnjë vit nuk ka dhënë dëmshpërblim. Duhet patjetër të shpallet gjendja emergjente, u thonë. Kompanitë e sigurimeve nuk i sigurojnë. Risk i lartë u thonë. Ose u kërkojnë aq shumë lek, sa nuk vlen sigurimi. Fondet e huaja i merr ai burri me mustaqe që bën projekte dhe poston foto me të njëjtët njerëz përherë. Asnjë lek nuk përfitojnë.

Dhe unë sot do bërtas për kombëtaren por shpirti i asaj gruas fermere bërtiti më shumë, në heshtje; “Nuk kam ç’bëj, do i them djalit të më marrë pastruese në Gjermani. Do i vë kyçin shtëpisë”
Gol! – kundër fermerëve…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu