Niveli në liqenin e Fierzes, basenin më të madh ujëmbledhës me qëllim prodhimin e energjisë elektrike në vend është në pika kritike ne prag te fillimit te dimrit.
Pamjet tregojnë qartë, sa larg nivelit maksimal eshte HECI dhe liqeni i Fierzes që garanton prodhimin e duhur të energjisë elektrike ne vend. Sipas të dhënave zyrtare aktualisht Fierza, është në nivelin e 270.76 m mbi nivelin e detit ndërsa prurjet janë minimale rreth 35 m3/sek.
Kuota maksimale e liqeni te Fierzes është 296 m. Nderkohe prodhimi ditor ne HEC -in e Fierzes eshte 1100 MWh ndersa rezerva energjitike eshte 513 GWh. Vetëm një turbinë është në punë për prodhim energjie nga katër qe ka HEC-i i Fierzës.
Sipas sallës operative, në Fierzë nuk punohet për prodhimin e energjisë elektrike në tre prej agregateve të saj, në përpjekje për të krijuar rezerva ujore në liqenin e këtij hidrocentrali. Për rrjedhojë KESH prej ditësh ka nisur blerjen e një sasie të konsiderueshme të energjisë elektrike në tregun ndërkombëtar për të siguruar nevojat e konsumit në vend.
Të paktën deri në mesin e tetorit, Fierza nuk parashikohet të prodhojë energji elektrike shtesë, pasi për momentin po tentohet të ruhet kuota e liqenit te Fierzes për të mos arritur në pikën e vdekjes qe eshte rreth 260 m.