Që në momentin e parë Jani Zoto tha se ishte i pafajshëm, por askush nuk besoi. 54-vjeçari mohoi të ishte vrasësi i partneres së tij, por drejtësia e dërgoi në burg të përjetshëm.
Ai qëndroi për 3 vite në qeli përpara se ngjarja të merrte kthese dhe të dilte i pafajshëm. Shqiptari, i cili u dënua për vrasjen e të dashurës së tij rumune në vitin 2014 në Kos të Grerqisë, tha protothema.gr se: “Në fund të fundit ka një Zot. Zoti pati mëshirë për mua dhe më ndihmoi të zbulohej e vërteta. Tani mund të them se ndihem i shfajësuar pas shumë vuajtjeve. Askush nuk më besonte se isha i pafajshëm. Të gjithë menduan se e vrava dhe më futën në burg padrejtësisht”.
Ndërsa për vitet që kaloi pas hekurave shtoi: “Tre vite të jetës sime i kalova përsëri në burg kur isha i pafajshëm dhe bërtisja por askush nuk më dëgjonte. Ishin vitet më të vështira të jetës sime. Nuk ka gjë më mizore se të “pagëzohesh” vrasës pa kryer asnjë krim. Ndjeva se po më shkatërrohej nderi dhe dinjiteti dhe nuk mund të bëja asgjë. Fëmijët e mi u mërzitën kur dëgjuan se babai i tyre ishte një vrasës”.
Ndërsa, ai përfundoi duke thënë se “ajo grua ishte shoqja ime, unë jetoja me të dhe nuk kishte se si ta lëndoja. Dua të vazhdoj jetën time dhe të lë pas këtë makth që do të më shënojë përgjithmonë”.