‘Fluturat’, Bujar Alimani kthen 21 histori tronditëse të diktaturës në film

0

Këto rrëfime vijnë të pasqyruara në filmin dokumentar “Fluturat”, i cili u shfaq në Tiranë më 30 gusht në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur.

Nga plagët e thella të kampeve të internimit në Gradishtë e Savër të Lushnjës dalin 21 flutura të lira. Janë 21 gra dhe vajza secila me historinë, forcën dhe dhimbjen e saj, histori të cilat regjisori Bujar Alimani i kthen në art, duke tentuar të rindërtojë historinë e vuajtjeve të diktaturës përmes rrëfimeve të tyre.

Këto rrëfime vijnë të pasqyruara në filmin dokumentar “Fluturat”, i cili u shfaq në Tiranë më 30 gusht në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur.

21 vajzat dhe gratë rrëfejnë jo vetëm historitë e dënimit të familjarëve për arsye politike, persekutimit të tyre, dehumanizimit, por edhe qëndresën e mbijetesën dhe luftën për të mos humbur veten.

Regjisori Bujar Alimani tregon për Gazetën “Si” se si arriti deri në finalizimin e këtij projekti.

“Ka ndodhur rastësisht kur mësova se këto zonja duke ruajtur nostalgjinë dhe mallin për njëra-tjetrën mblidheshin një herë në disa vjet e ritakoheshin diku në New York. E konsiderova fantastike si ide xhirimin e këtij takimi. Më pas u shndërrua në një vepër artistike”, shprehet regjisori për Gazetën “Si”.

Gratë që u internuan në kampin e punës në Gradishtë ishin fëmijë të njerëzve që ishin akuzuar për krime kundër regjimit represiv komunist, ose të afërm të atyre që ishin arratisur nga Shqipëria. Ka gra që lindën në kamp, ndërsa të tjerat u dërguan atje me nënat e tyre kur ishin të vogla. Disa prej grave që rrëfejnë historitë e tyre janë Matilda Mirakaj, Vilma Kaloshi, Fatmira Bajo, Anila Ndreu, Kafile Sina, Floreta Kaloshi, Elsa Kaloshi, etj.

Të gjitha këto histori që rrëfejnë të shkuarën, por me sytë nga e ardhmja, regjisori i përbashkon nën titullin “Fluturat”, si një element lirie.

“Flutura’ është një insekt, element që nuk ka lidhje me tokën, por me ajrin, me qiellin, rrjedhimisht me fluturimin, lirinë”, vijon Alimani.

Siç rrëfen regjisori, intervistat realizohen nga vetë ai dhe filmi ndjek rrëfimet e tyre në kamp, në kishën ku luteshin e gjenin forcë. Imazhet e tyre Alimani i sjell me ngjyra, si për të treguar triumfin mbi të keqen.

“Kontaktet erdhën njëri pas tjetrit dhe ne e nisëm me 11 prej tyre të cilat udhëtuan nga Kanadaja dhe disa shtete të Amerikës drejt Nju Jorkut ku nisëm xhirimet. Më pas, ato kontaktonin me njëra-tjetrën dhe u bë i mundur intervistimi i 21 prej tyre. Kuptohet që ato janë në realitet me dhjetëra të tjera e filmi u kushtohet edhe atyre që rastësisht nuk janë në dokumentar”, rrëfen më tej regjisori Bujar Alimani

Sipas regjisorit, secila prej ngjarjeve të këtij dokumentari është unike dhe ka si qëllim njohjen e këtij realiteti nga brezat e rinj. Por ndonëse në film paraqitet e shkuara jonë historike, në të nuk mungojnë as grimca aktualiteti.

“Dokumentari ka një strukturë pak a shumë kronikale ku shtjellohen disa faza të jetës, punës dhe zhvillimit biologjik të tyre, duke kuptuar edhe ditët e sotshme.  Por në tërësi, filmi përcjell idenë e rezistencës, ruajtjes së dinjitetit njerëzor dhe humanizmit”.

Për regjisorin Alimani, e rëndësishme është që këto histori janë mjaft të prekshme jo vetëm për ata që kaluan nën thundrën e sistemit komunist, por edhe për brezat e rinj që kërkojnë të mësojnë se çka ndodhur me të kaluarën e vendit të tyre.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu