Kryeqyteti shqiptar mirëpriti sot Forumin e Investimeve Shqipëri–Turqi 2025, një nga ngjarjet ekonomike më të rëndësishme të vitit, që shënon një moment historik në marrëdhëniet strategjike mes dy vendeve. E organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe MÜSİAD Albania, në bashkëpunim me institucionet shtetërore dhe private nga të dy vendet, kjo veprimtari solli në Pallatin e Kongreseve mbi 1500 përfaqësues të nivelit të lartë, mes tyre kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe zëvendëspresidenti i Turqisë, Cevdet Yılmaz.
Një forum që forcon ura dhe hap horizonte të reja
Hapjen e këtij forumi e shënoi fjalimi i Kryeministrit Edi Rama, i cili përmes një videomesazhi theksoi rëndësinë e kësaj marrëdhënieje dypalëshe që shkon përtej interesave ekonomike, duke e quajtur atë një lidhje vëllazërore dhe një aleancë strategjike që forcohet çdo ditë. “Duhen dy duar për të duartrokitur,” deklaroi Rama, duke përdorur një shprehje popullore me origjinë të përbashkët për të simbolizuar harmoninë në bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Turqisë.
Sot, Shqipëria dhe Turqia, tha kryeministri Edi Rama përpara mbi 1500 investitorëve turq të pranishëm në forum, si dhe zëvendëspresidentit të Turqisë, Cevdet Yılmaz, janë pikërisht ato dy duar që duartrokasin së bashku, një histori miqësie që nuk njeh kthesa, një partneritet që forcohet çdo ditë dhe një horizont që hapet gjithnjë e më gjerë përpara nesh.
Duke iu rikthyer një momenti kyç në marrëdhëniet dypalëshe, kryeministri kujtoi vendosjen e një objektivi të përbashkët me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, një dekadë më pare, dyfishimin e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.
“Sot, jo vetëm që kemi arritur këtë synim, por e kemi tejkaluar,” tha Rama, duke vënë në dukje se nga një volum tregtar prej 250 milionë eurosh, sot është kaluar mbi 1 miliard euro vetëm në nëntë muajt e parë të vitit.
Nga 300 sipërmarrje me kapital turk, vijoi kryeministri, sot në Shqipëri numërohen mbi 1 mijë, ndërsa nga disa qindra punonjës në kompani turke, sot janë mbi 15 mijë qytetarë shqiptarë të punësuar në to.
“Por më shumë se numrat, ajo që ka vlerë është fryma. Është dëshira, besimi dhe sensi i përkatësisë në një miqësi që ka ndërtuar këtë lidhje të fortë mes nesh. Një frymë bashkëpunimi që prodhon rezultate”, nënvizoi Rama.
Duke folur për klimën e favorshme që ofron Shqipëria, Kryeministri u shpreh se vendi nuk është më një ishull i mbyllur si dikur, por një vend i hapur dhe mikpritës, një “ishull i bukur” në mes të Europës ku investimet shumëfishohen në pak vite, falë një sistemi taksash të ulëta, energjisë së gjelbër, turizmit në rritje, zhvillimit teknologjik dhe një tregu që pret krahëhapur sipërmarrjen turke.
Vetëm gjatë këtij viti, vijoi ai, mbi 300 mijë turistë nga Turqia zgjodhën të vizitojnë Shqipërinë, një shifër e jashtëzakonshme që dëshmon për përparimin e bërë në fushën e turizmit dhe lidhjet e thelluara mes dy vendeve.
“Siç thotë një tjetër shprehje e përbashkët mes nesh: oreksi vjen duke ngrënë. Ndaj, ejani të punojmë bashkë për suksesin, ta kapim atë dhe ta shijojmë së bashku”, u shpreh Rama.

Në vijim, Kryeministri e cilësoi Shqipërinë si portën më të afërt të Turqisë drejt Bashkimit Europian dhe një partner të qëndrueshëm në fushat e sigurisë, energjisë, turizmit dhe teknologjisë.
Ai theksoi se qeveria shqiptare është më shumë sesa një qeveri mike, është një partnere strategjike e një aleance të fortë me Turqinë, e gatshme të mikpresë, të dëgjojë dhe të garantojë çdo investim që kthehet në një histori suksesi.
“Ne hodhëm një hap të madh para 10 vitesh, dhe sot shohim sesa shumë kemi ecur përpara. Kemi ndërtuar një urë, e kemi hedhur këmbën në të ardhmen dhe objektivi ynë tani është që të dyfishojmë sërish shkëmbimet tona tregtare, duke ndërtuar një “autostradë suksesi” midis Bosforit dhe Adriatikut”, theksoi Kryeministri.
Ai nënvizoi se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë thjesht marrëdhënie ekonomike, por një lidhje vëllazërie, besimi dhe bashkudhëtimi drejt së ardhmes.
“Ura që sot lidh Stambollin me Tiranën është më e fortë se kurrë. Ura që lidh Ankaranë me Shqipërinë zyrtare është më solide se kurrë. Është një urë që përshpejton lidhjen tonë me Perëndimin përmes Korridorit 8 dhe portit të ri të Durrësit, por edhe një urë që lidh historinë me të ardhmen, kujtimet e përbashkëta me ambicien për të nesërmen”, u shpreh Rama.
Rama theksoi se Shqipëria dhe Turqia flasin të njëjtën gjuhë, “gjuhën e punës dhe të rezultateve”.
Ai ftoi investitorët të jenë pjesë e këtij rrugëtimi, ku çdo projekt, çdo ide dhe çdo energji pozitive kthehet në një sukses të përbashkët.
“Le ta shohim të ardhmen si një detyrë që duhet ta përmbushim bashkë, përmes një udhëtimi ku çdo investim, çdo projekt, çdo energji bëhet shkak për një duartrokitje të re për historinë tonë të përbashkët”, deklaroi kryeministri Rama.

Në të njëjtën linjë, zëvendëspresidenti i Turqisë, Cevdet Yılmaz, gjatë Forumit të Investimeve Shqipëri-Turqi që u hap sot në Tiranë, shprehu vlerësimin e lartë për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe foli për mundësitë e mëdha të bashkëpunimit ekonomik në fusha të ndryshme.
“Edhe pse nuk ndajmë kufi tokësor, Shqipërinë e konsiderojmë si një fqinj të zemrës sonë. Marrëdhëniet tona historike shkojnë përtej 6 shekujve dhe janë të mbështetura në miqësi, bashkëpunim dhe interesa të përbashkëta”, deklaroi ai.
Zëvendëspresidenti turk theksoi se pas vizitës së Kryeministrit Edi Rama në Ankara, ku u nënshkrua Deklarata e Përbashkët Politike, marrëdhëniet mes dy vendeve janë ngritur në nivelin e partneritetit strategjik.
Sipas tij, vetëm gjatë tetë muajve të fundit janë firmosur 10 marrëveshje bashkëpunimi që i kanë dhënë vrull këtij partneriteti.
Gjatë fjalës së tij, Yılmaz theksoi se ekonomia turke është ndër më të qëndrueshmet në botë.
Ai iu referua të dhënave të fundit të FMN-së, sipas të cilave, Turqia është renditur si ekonomia e 16-të më e madhe në botë dhe e 4-ta në Europë, bazuar në fuqinë blerëse.
Yilmaz, informoi se në vitin 2025, eksportet turke pritet të arrijnë në 273,7 miliardë dollarë, ndërsa të ardhurat nga turizmi dhe shërbimet në 64 miliardë dollarë, duke ulur deficitin e llogarisë korrente në vetëm 1,4%.

Ai nënvizoi se tregtia mes Shqipërisë dhe Turqisë ka arritur në mbi 1 miliard dollarë, dhe synimi është që të dyfishohet në 2 miliardë dollarë në një afat të shkurtër. Sipas tij, shkëmbimet tregtare përfshijnë jo vetëm mallrat, por edhe shërbimet, të cilat kanë arritur një vlerë prej 117 milionë dollarësh.
Yılmaz theksoi se Turqia është një nga investitorët më të rëndësishëm në Shqipëri dhe se kompanitë turke janë aktive në fusha si ndërtimi, shëndetësia, minierat, energjia, plastika, telekomunikacioni, teknologjia e informacionit dhe industria e mbrojtjes.
Ai përmendi ndërtimin e spitalit në Fier si një shembull konkret i bashkëpunimit strategjik në sektorin e shëndetësisë dhe nënvizoi rëndësinë e tërheqjes së investimeve turke në fusha të tjera si bujqësia, teknologjia dhe turizmi.
“Shqipëria ka bërë përparime të mëdha në turizëm. Vitin e kaluar janë pritur mbi 11 milionë vizitorë të huaj. Pjesëmarrja e kompanive turke në këtë sektor do të sillte vlera të shtuara”, tha Yılmaz.
Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria ka potencial të madh për zhvillimin e bujqësisë, veçanërisht në zonat bregdetare, ku kompanitë turke me eksperiencë nga rajone si Antalya mund të sjellin kontribut të çmuar në rritjen e produktivitetit.
Zëvendëspresidenti i Turqisë ftoi investitorët turq që të shfrytëzojnë mundësitë që ofron Shqipëria dhe të investojnë në projekte konkrete në fusha strategjike, duke kontribuar kështu në zhvillimin ekonomik të vendit dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Në Forumin e Investimeve Shqipëri–Turqi 2025 morën pjesë edhe figura të tjera të rëndësishme të të dyja vendeve, duke reflektuar nivelin e lartë të angazhimit institucional dhe diplomatik që mbështet këtë bashkëpunim. Ndër të pranishmet ishte znj. Belinda Balluku, zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në projektet e mëdha infrastrukturore dhe energjetike të vendit. Po ashtu, znj. Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, dha një panoramë të qartë mbi reformat ekonomike dhe klimën e favorshme të investimeve në Shqipëri.

Nga pala turke, pranishëm ishte Ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri, z. Tayyar Kağan Atay, i cili ka qenë një zë i vazhdueshëm për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Në forum morën pjesë edhe zyrtarë të lartë nga ministritë përkatëse të qeverisë turke, përfshirë Ministrinë e Tregtisë, Ministrinë e Industrisë dhe Teknologjisë, Ministrinë e Bujqësisë dhe Pylltarisë, si dhe Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, duke theksuar rëndësinë e sektorëve të përzgjedhur si prioritare për investime dhe bashkëpunim.

Një pjesëmarrje e veçantë dhe me peshë ishte edhe ajo e kryetarit të përgjithshëm të MÜSİAD-it, z. Burhan Özdemir, si dhe e kryetarit të MÜSİAD Albania, z. Muhammet İşler, të cilët kanë qenë ndër promotorët kryesorë të këtij forumi dhe kanë kontribuar në afrimin e komunitetit të biznesit turk me ekonominë shqiptare.
Forumi i Investimeve Shqipëri–Turqi 2025 konfirmoi njëherë e mirë se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë vetëm çështje protokolli diplomatik, por një aleancë e gjallë ekonomike që prodhon rezultate reale. Me pjesëmarrjen e mbi 1500 aktorëve nga politika, biznesi dhe institucionet, forumi tregoi se Shqipëria dhe Turqia janë të gatshme jo vetëm të shkëmbejnë ide, por të konkretizojnë projekte me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të dy vendeve.
Nga ndërtimi dhe bujqësia, te teknologjia dhe turizmi, diskutimet në Tiranë sollën jo vetëm bilance pozitive, por edhe angazhime të reja për investime dhe bashkëpunim afatgjatë. Mesazhi ishte i qartë: Shqipëria është e hapur, e gatshme dhe ambicioze për të pritur investitorët turq, ndërsa Turqia sheh në Shqipëri një partner strategjik drejt tregjeve të Bashkimit Europian.
Në një kohë sfidash globale dhe konkurrencë të ashpër ekonomike, forume si ky nuk janë thjesht ngjarje të kalendarit diplomatik, por pika kyçe ku vendosen gurët themeltarë të së ardhmes. Tirana dha një mesazh të fortë: Shqipëria dhe Turqia po ndërtojnë së bashku një rrugë të re zhvillimi, e cila kalon nga investimi, kalon nga besimi dhe çon drejt një partneriteti që prodhon sukses për të dyja palët.
/Argumentum.al





