Prrenjas, 26 maj 2025 – Kjo është pamja nga miniera në Prrenjas ku humbi jetën tragjikisht minatori Syrja Bego, 58 vjeç. Viktima ishte një figurë e njohur për komunitetin e minatorëve, duke shërbyer si kryetar i sindikatës së tyre.
Ngjarja ndodhi në momentin e ndërrimit të turnit, kur një masiv shkëmbor u shemb papritur, duke e zënë poshtë minatorin. Sipas burimeve paraprake, shembja ndodhi në një zonë të thellë të nëntokës ku ishin duke u kryer punime të zakonshme.
Ekipet e shpëtimit ndodhen ende në vendngjarje dhe po vijon operacioni për nxjerrjen e trupit të viktimës nga rrënojat e shkëmbinjve. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e shembjes dhe nëse janë respektuar protokollet e sigurisë.
Kjo ngjarje ka tronditur komunitetin lokal dhe ka risjellë në vëmendje rreziqet e përditshme që përballen punonjësit në sektorin minerar në Shqipëri.