JAPONI- Kryeministri Edi Rama, pas vizitës zyrtare në Seul, ka udhëtuar drejt Japonisë, ku është mirëpritur në Tokio nga flamuri kuq e zi dhe ai japonez. Rama ka postuar disa foto në rrjetet sociale për të shënuar këtë moment. Vizita, e cila do të vijojë deri më 23 maj, synon forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.
Rama do të zhvillojë një takim dypalësh me Kryeministren e Japonisë, Sanae Takaichi, si edhe një vizitë kortezie me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Eisuke Mori.
Ai do të vizitojë gjithashtu Universitetin e Kombeve të Bashkuara në Tokio, ku do t’u drejtohet pjesëmarrësve në një panel diskutimi me titull “Rruga e Shqipërisë drejt Anëtarësimit në BE: Roli i Japonisë”. Axhenda e vizitës përfshin gjithashtu një takim me anëtarët e Grupit Parlamentar të Miqësisë Japoni–Shqipëri dhe një takim me drejtuesit e lartë të Organizatës Japoneze të Tregtisë së Jashtme.









