Pas ngjarjes së rëndë në Korçë, ku nëna dhe bija, Eleni dhe Ornela Vangjeli, 74 dhe 54 vjeç u gjetën të vdekur në banesë, fqinja e tyre tregon për kontaktin e fundit me to. Ajo rrëfen se ka folur me 54-vjeçaren të shtunën, kur ajo i ka thënë se ka shtruar nënën në spital për probleme me frymëmarrjen.
Fqinja shprehet se ka vizituar banesën e tyre gjatë ditëve të kaluara, por dera nuk është hapur. Madje, edhe kolegët e 54-vjeçares kanë shkuar atje, por dera ishte e mbyllur. Djali i të moshuarës, që kthehej nga Greqia, ka tentuar të hyjë në banesë, por dera ishte e mbyllur nga brenda. Pas kësaj, është thirrur zjarrfikësja dhe policia.
Me Ornelën kam komunikuar të shtunën, ajo më tha që kishte shtruar nënën e saj në spital sepse kishte vështirësi në frymëmarrje. Ornela më kërkoi të shihja nëse e kishte mbyllur derën e banesës së saj apo e kishte lënë hapur. Unë shkova kontrollova derën e shtëpisë së saj dhe i thashë që derën e ke të mbyllur. Gjatë këtyre ditëve kur kam dalë nga shtëpia kam trokitur tek dera e Ornelës por nuk më është përgjigjur njeri edhe pse kur kam parë derën nga afër më është dukur sikur brenda kishte çelës. U shqetësova sepse me Ornelën nuk po kontaktoja më. Ornela ishte edukatore në Vithkuq, dhe sot erdhën kolegët e punës për ta kërkuar, trokitën edhe ata por dera nuk u hap. Unë mora në tel edhe mbesën e tyre, por as ajo nuk dinte gjë. Sot erdhi djali nga Greqia, tentoi të hapte derën por dera ishte e mbyllur nga brenda. Më pas me ndihmën e zjarrfikëses dhe policisë dera u hap por i gjetën të pajeta”.