Franca bllokon shitjen e avionëve luftarakë “Rafale” në Serbi, Kosova një ndër arsyet e refuzimit

0

FRANCË- Pak ditë më parë presidenti serb, Aleksandar Vuçiç zhvillon një takim me homolgun e tij në Francë, Emmanuel Macron ku diskutuan në lidhje me një marrëveshje mes dy vendeve për të blerë 12 aeroplanë luftarakë francezë, Rafale. Ndërkohë pak kohë pas këtij takimi mediat franceze raportojnën se disa prodhues të avionëve kanë refuzuar të shesin prodhimet e tyre Serbisë.

Rrjeti televiziv francez, “BFM TV” shkruan se Dassault Aviation, prodhuesi francez i këtyre avionëve aktualisht po refuzon të diskutojë për një shitje të mundshme të avionëve në Serbi. Operacioni, mund të sjellë 3 miliardë euro, por Franca synon të marrë konfirmime mbi zhvillimet politike në Serbi përpara se të vulosë blerjen.

Me tej media franceze shkuan se Serbia po rrit blerjen e armëve, qofshin ato europiane, kineze apo ruse dhe se në dhjetë vjet, buxheti ushtarak serb është trefishuar. Nga viti 2012 deri në vitin 2023, buxheti ushtarak serb u trefishua, duke arritur në 1.4 miliardë euro.

Më shumë se buxhetet e kombinuara të pesë vendeve të tjera të Ballkanit, shkruan mediumi francez. Midis 2014 dhe 2023, Serbia shpenzoi 2.67 miliardë euro për blerjet e armëve – veçanërisht për të blerë sistemin kinez kundërajror FK-3, helikopterët rusë Mi-17 dhe Mi-35, si dhe sistemin rus të mbrojtjes ajrore, Pantsir.

Afërsia me Rusinë

Afërsia e kreut të shtetit serb me homologun e tij rus Vladimir Putin përbën një problem për Parisin. Ndërsa Serbia e ka dënuar agresionin rus në Ukrainë, ajo nuk është rreshtuar me sanksionet perëndimore. Në fund të marsit, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, vizitoi Moskën, një mundësi kjo sipas diplomacisë serbe për t’i përmirësuar lidhjet tradicionalisht miqësore midis Serbisë dhe Rusisë.

Mbi të gjitha, blerjet nga Rusia dhe Kina nuk kanë të ndalur që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022. Në shkurt, presidenti serb prezantoi me krenari blerjet e tij të fundit: Russian Repellents, një sistem anti-drone, si dhe dronët kinezë. Ai gjithashtu premtoi se do të vinte në prodhim një dron shpërthyes të prodhuar në Serbi deri në fund të vitit 2024.

“Republika e Serbisë blen armë dhe pajisje ushtarake nga Lindja dhe Perëndimi”, shpjegoi Ministria serbe e Mbrojtjes në mars në përgjigje të një pyetjeje nga AFP-së për blerjet e saj nga Rusia dhe Kina, “duke zgjedhur ato karakteristikat e të cilëve do të të përmirësojnë aftësitë e forcave të armatosura serbe”.

Një shitje e mundshme “qesharake”.

Franca prej disa kohësh është angazhuar për ta intensifikuar bashkëpunimin e saj në mbrojtje me Serbinë. Një marrëveshje dypalëshe për bashkëpunimin e mbrojtjes ekziston që nga viti 2011 dhe u ringjall nga viti 2019. Një bashkëpunim që nuk është për shijen e të gjithëve.

“Do të ishte qesharake që Parisi, nga njëra anë, të përmendte dërgimin e trupave në Ukrainë, dhe nga ana tjetër t’ia shesë një armë jashtëzakonisht të sofistikuar një prej aleatëve më të afërt të Rusisë”, thotë Jasmin Mujanoviç, studiues i shkencave politike. Shitja e avionëve Rafale këtij aleati të Moskës “do të ishte shqetësuese sepse do të lejonte rrjedhjen e informacionit në Kinë dhe Rusi”, beson ai.

Sytë e Serbisë te Kosova

Sipas letrës së bardhë të Mbrojtjes së Serbisë, botuar në vitin 2023, “sfida më e madhe e sigurisë” për Beogradin është në anën tjetër të kufirit me Kosovën, që u bë e pavarur në fund të një lufte të përgjakshme me mbi 13,000 të vdekur. Ndër kushtet e kërkuara, presidenti francez përmendi edhe nevojën për zbutjen e tensioneve në marrëdhëniet me Kosovën.

Megjithatë, nëse shitja e Rafale ndodh, “mund të shihni avionë luftarakë francezë që përdoren për ta frikësuar Kosovën. Këta avionë mund të përdoren kundër vendeve fqinje”, paralajmëron Jasmin Mujanoviq. Avioni, i cili hyri në shërbim në 2004 dhe synohet të fluturojë deri në vitet 2060, është maja e shtizës së eksportit të industrisë franceze të mbrojtjes. Shtatë vende kanë avionë Rafale ose kanë lidhur marrëveshje tregtare për t’i blerë ato: Egjipti, Katari, India, Greqia, Indonezia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kroacia.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu