ANGLI – Norwich i afrohet Frank Lampard, i cili tani është favorit për të qenë trajneri tyre i ri, pasi drejtuesit e këtij klubi janë takuar me ish-menaxherin e Chelsea, për të diskutuar vendin e lirë në Carrow Road. “Kanarinët” kanë shkarkuar trajnerin gjerman Daniel Farke, disa orë pasi mposhtën Brentfordin 2-1.
“Sportsmail” raportoi këtë javë, se Lampard do të zhvillonte bisedime me “kanarinët”, për punën e trajnerit, takim i cili ka ndodhur. Ish-mesfushori i “bluve” të Londrës është ndër favoritët për të zëvendësuar stolin bosh të lënë nga trajneri gjerman në Carrow Road.
Lampard ka qenë pa punë që kur u shkarkua nga Chelsea në fillim të vitit 2021, por ai shpejt u shfaq si një kandidat kryesor për pozicionin në Carrow Road, pas shkarkimit të Farke. Norwich është në fund të Premierligës, me vetëm një fitore në 11 ndeshje dhe Lampard do të ketë për detyrë të shmangë kërcënimin e rënies nga kategoria.
Ish-portieri Petr Cech, i cili ka luajtur së bashku me Lampard te Chelsea, tha për “talkSPORT”: “Ai i ka të gjitha cilësitë për të qenë një menaxher i Premier League. Nëse dikush është i interesuar dhe dikush vjen për të folur me të, nëse ata kanë projektin e duhur për Frank, ai e do futbollin dhe e do stërvitjen, me të njëjtin pasion që kishte për të luajtur. Nuk jam i befasuar që emri i tij po shfaqet tani dhe do të jetë vetëm çështje kohe, para se të kthehet në Premier League”.
Fitorja 2-1 ndaj skuadrës debutuese të Brentford, e ka ngjitur Norwichin në kuotën e 5 pikëve, po aq sa edhe Newcastle, që është ende pa fitore këtë sezon, pas barazimit 1-1 ndaj Brighton.