FSHF kërkoi ndeshje me tifozë, Ministria e Shëndetësisë vendos për sfidën Shqipëri-Angli
Ndeshja Shqipëri-Angli, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2022, do të luhet pa praninë e tifozëve.
Ministria e Shëndetësisë ka refuzuar kërkesën e Federatës Shqiptare të Futbollit për të lejuar një numër të caktuar mbështetësish në shkallët e “Air Albania Stadiumin”.
Në përgjigjen zyrtare të kthyer nga Ministria e Shëndetësisë, bëhet e ditur se prania e tifzoëve konsiderohet me rrezikshmëri të lartë për shkak të pandemisë së COVID-19.
“Zhvillimi i këtij aktiviteti sportiv me pjesmarrje të spektatorëve konsiderohet me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e infeksionit Covid-19, kjo për shkak se shoqërohet me grumbullime njerëzish. Duke parë situatën epidemiologjike, në kushtet e numrit të lartë të rasteve të reja të infektimeve me Covid-19, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk e miraton kërkesën tuaj”, thuhet në letrën e mbërritur në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Kujtojmë që ndeshja Shqipëri – Angli do të luhet në datën 28 mars, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit kishte kërkuar leje nga Ministria e Shëndetësisë për 30 përqind të kapacitetit të impiantit modern. Por, një gjë e tillë është refuzuar dhe kësisoj ndeshja Shqipëri – Angli do të luihet zyrtarisht pa spektatorë.