Policia Rrugore e Tiranës shoqëroi dje në komisariat për të verifikuar 4 shoferë që me mjetet e tyre luksoze kryenin manovra të rrezikshme dhe gara shpejtësie. Ndalimi u bë në rrugën “Dritan Hoxha”, në kryeqytet.
Burime bëjnë me dije se pasi u shoqëruan në ambientet e Komisariatit të Policisë Rrugore, nga verifikimi i kryer në bashkëpunim edhe me Seksionin e Trafiqeve të Paligjshme, rezultoi se automjeti i markës Audi R8 me targa zviceriane ishte i vjedhur jashtë vendit.
Në këto kushte u bë ndalimi i automjetit me qëllim kryerjen e veprimeve të tjera proceduriale për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorrike”. Drejtuesit u ndëshkuan me gjobë.