MBRETËRI E BASHKUAR- Një 27-vjeçar shqiptar është dënuar në Mbretërinë e Bashkuar për trafikim emigrantësh. Floreand Lika, u dënua me katër vjet e katër muaj burg. 27-vjeçari dërgonte emigrantë të paligjshëm në Britaninë e Madhe.
Gjykata e Portsmouth deklaroi sot se ai ishte përgjegjës për nisjen e shqiptarëve përmes një anijeje nga Franca. Gjatë dy udhëtimeve, Lika ishte në kontakt telefonik me një nga tre burrat e dënuar në fillim të këtij viti për të njëjtën vepër penale.
Një anije që udhëtonte nga Cherbourg mbërriti në East Cowes Marina më 19 Mars 2020. Në anije ndodheshin 12 persona që dyshohet se ishin emigrantë që hynin ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Midis 26 dhe 27 qershor 2020, një tjetër varkë e vogël u kap. Gjashtë shqiptarë ishin në bord, pa lejen e nevojshme të hyrjes për të hyrë në Britani. Të gjithë rezultuan se kishin udhëtuar me garanci të Likës e për pasojë, i riu shqiptar u vu në pranga.