Elbasan-Gazetari Fatmir Popja është zgjedhur sot kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë të Qarkut Elbasan. Z. Popja pason në këtë detyrë gazetarin Besim Dybeli, i cili e drejtoi unionin për shumë vite, ndërsa dha dorëheqjen pak kohë më parë.
Në mbledhjen e zhvilluar të degës së UGSH, kryetari i dorëhequr Dybeli falenderoi kolegët për besimin dhe mbështetjen e dhënë ndër vite, duke e shndërruar degën e UGSH në organizatën më aktive dhe më të shumëvlerësuar ndër krejt degët e Unionit dhe në tërësi në jetën e komunitetit të gazetwrëve shqiptarë.
I pranishëm në procesin e votimit ishte edhe kryetari i UGSH, Aleksandër Çipa, i cili vlerësoi punën dhe kontributin e UGSH të Elbasanit, duke i përcjellë mirënjohje të posacme kolegut Dybeli për kontributin në vite si dhe shprehu besimin se kolegu Popja do të pasurojë më tej këtë traditë pozitive të Unionit. Drejtuesi i UGSH duke iu përgjigjur shqetësimeve të kolegëve foli për sfidat më të mprehta të komunitetit profesional aktualisht si dhe për cështje të mbetura pa zgjidhje në vite si dhe apeloi për qëndrime të unifikuara dhe solidaritet në përballjen me institucionet për negocimin e disa ndryshimeve që lypin ndërhyrje të institucioneve ligjore si Parlamenti, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Inspektoriatit të Punës etj.,.
Në mbledhje gazetarët ngritën probleme të ndryshme të gjendjes socioekonomike të gazetarëve dhe krejt punonjësve të medias, sidomos cështjen e pazgjidhur të sigurimeve shoqërore si dhe mungesën e një solidariteti gjithëkomunitar për të negociuar problemet e rënda të informalitetit dhe të pasigurisë në skenën mediatike të vendit.
Në zgjedhjet e sotme si Kordinatore e degës së UGSH u zgjodh Miranda Sadiku si dhe bordi drejtues i degës nga koleget Entela Duka, Edisona Skënderi dhe Taulant Pilavi.
Kujtojmë Fatmir Popja ka qenë dhe është pjesë e redaksive kryesore në vend, duke kontribuar në News 24, Gazeta Shqiptare, BalkanWeb, RTSH, gazetat sportive etj., ndërsa së fundmi mban postin e drejtorit të përgjithshëm të portalit AlbaniaExpress.al, një media e re online. Në këtë karrierë të gjatë mbi supe, është fitues i disa çmimeve prestigjoze në gazetari, autor i rreth 20 mijë shkrimeve, qindra intervistave me personalitete të shquara të fushave të ndryshme, moderator i emisioneve të ndryshme, drejtues i mediave lokale etj.






