Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e ka quajtur “fushatë kundër Qeverisë Kurti” fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në seancën e përbashkët Kosovë-Shqipëri, të premten.
Sipas Gërvallës, Rama e keqpërdori foltoren e Kuvendit të Kosovës.
“Fjalimi i zotit Rama nuk u përshtat aspak me atmosferën që kishim. Ishte një fjalim që e keqpërdori shumë mikpritjen e Kosovës, të tij dhe të delegacionit të tij. Mendoj që nëse ai vjen për të bërë fushatë, duhet të vijë dhe ta bëjë këtë në mënyrë transparente kundër Qeverisë, pa keqpërdorur foltoren e Kuvendit”.
“Shumë e qartë! Nuk e di nëse keni dëgjuar fjalimin e tij, por nuk mund të interpretohet ndryshe veçse si fushatë”, tha ajo në emisionin “DPT te Fidani”.
E pyetur lidhur me kërkesën e Ramës për implementimin e marrëveshjes së Ohrit, Gërvalla pretendoi se kjo nuk ishte këshillë vëllazërore.
“Nuk kishte asgjë vëllazërore në atë mes, sepse brenda familjes njeriu konsultohet me anëtarët e saj dhe nuk del para mikrofonave për të dhënë këshilla vëllazërore. Sigurisht, ishte një formë shtimi të presionit ndaj Republikës së Kosovës për të implementuar njëanshëm”.
Kuvendet e Kosovës dhe Shqipërisë e mbajtën të premten një seancë të përbashkët parlamentare në Prishtinë.
Në këtë seancë palët u zotuan përmes një deklarate përfundimtare se do ta ndihmojnë njëra-tjetrën në arenën ndërkombëtare dhe do ta thellojnë bashkëpunimin mes vendeve.
Seanca zgjati tre orë dhe liderët e të dyja vendeve mbajtën fjalime para deputetëve të pranishëm nga të dyjave vendet, në të cilën lartësuan lidhjet historike mes dy vendeve.
Deklarata e tyre e përbashkët, e cila u lexua nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, thekson se qëllimi i mbledhjes ishte që Kosova dhe Shqipëria ta bashkërendonin “agjendën kombëtare” për arritjen e synimeve të përbashkëta strategjike.