TIRANA- Mbledhja e Komisionit Rregullator të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e thirrur për të shqyrtuar projektvendimin “Për shtyrjen e orarit të votimit për 55 qendra votimi në qarkun Vlorë”, ka dështuar pas largimit të anëtarëve të opozitës.Kjo situatë shënon dështimin e përpjekjes për të zgjatur orarin e votimit në qarkun e Vlorës, ku ishin evidentuar problematika në disa qendra votimi. Rrjedhimisht, orari i mbylljes në ato qendra mbetet i pandryshuar, sipas vendimit fillestar të KQZ-së.
Dështimi i mbledhjes ndodhi për shkak të mungesës së kuorumit për ta shqyrtuar, pasi dy komisionarët e opozitës, braktisën seancën. Mbledhjen e braktisi edhe juristi i Partisë Demokratike, Franci Nuri. Anëtarët e zgjedhur nga mazhoranca vijuan të qëndronin në sallë, por pa kuorumin e nevojshëm për të marrë vendime. Kryetari i mbledhjes, Ilirjan Muho, sqaroi se pa kuorum nuk mund të procedohej më tej.
“Nuk kemi kuorum për të shqyrtuar projektvendimin, mbledhja nuk mund të vazhdojë,” deklaroi përfaqësuesi i Rregullatorit, Denar Biba.