Gjenden viruse të lashta në shkrirjen e akullit, pandemia e radhës mund të vijë nga akullnajat

0

Pas pandemisë së fundit Covid-19, viruset dhe bakteret tani kanë fituar më shumë vëmendje dhe po bëhen gjithnjë e më shumë studime se sa e lehtë është që një pandemi të përsëritet. Siç shihet me të dhënat e reja shkencore, nuk është aspak e pamundur.

Shkencëtarët kryen një analizë gjenetike në liqenin Hazen, liqeni më i madh i ujërave të ëmbla në Rrethin Arktik. Nga kjo analizë, rezulton se rreziku i transmetimit të një virusi, kur virusi infekton fillimisht një mbartës të ri, mund të jetë më i lartë pranë akullnajave që shkrihen.

Ndërsa temperaturat rriten globalisht për shkak të ndryshimeve klimatike, bëhet gjithnjë e më e mundshme që viruset dhe bakteret e bllokuara në akullnajat dhe ngricat e përhershme të “rizgjohen”, përhapen dhe infektojnë kafshët e egra aty pranë, veçanërisht kur zonat ku kafshët e ndryshme lulëzojnë, zhvendosen më pranë poleve.

Për të kuptuar më mirë rreziqet e shkaktuara nga viruset e ngrira, Stéphane Aris-Brosou dhe kolegët e saj në Universitetin e Otavës në Kanada mblodhën mostra dheu dhe sedimenti nga liqeni Hazen, afër vendit ku ndodhin prurje të vogla, të mesme dhe të mëdha uji nga akullnajat lokale.

Më pas ata vazhduan me analizimin e ARN-së dhe ADN-së në këto mostra për të zbuluar gjurmë që përputhen ngushtë me ato të viruseve të njohura, si dhe pritësit e mundshëm të kafshëve dhe bimëve, apo edhe kërpudhat. Ata përdorën gjithashtu një algoritëm që vlerësonte gjasat që këto viruse të infektonin grupe organizmash të palidhur.

Hulumtimi tregoi se rreziku i transmetimit të viruseve te strehuesit e rinj ishte më i lartë në lokacionet afër zonave ku rrjedhin sasi të mëdha të ujërave të shkrirë akullnajore, një situatë që po bëhet më e mundshme ndërsa planeti ngrohet. Ekipi nuk përcaktoi saktësisht se sa nga viruset që ajo identifikoi ishin të panjohur më parë, diçka që planifikon të bëjë në muajt e ardhshëm dhe as nuk vlerësoi nëse ato viruse ishin në gjendje të shkaktonin infeksion.

Megjithatë, studime të tjera të fundit kanë treguar se viruse të panjohura mund të fshihen në akullin e akullnajave. Për shembull, vitin e kaluar, studiuesit në Universitetin Shtetëror të Ohajos në SHBA njoftuan se kishin gjetur material gjenetik nga 33 viruse, 28 prej të cilëve ishin të rinj. Kjo erdhi nga mostrat e akullit të marra nga Rrafshnalta Tibetiane në Kinë. Bazuar në vendndodhjen e tyre, viruset u vlerësuan të jenë rreth 15,000 vjet të vjetra.

Në vitin 2014, shkencëtarët në Qendrën Kombëtare të Francës për Kërkime Shkencore në Aix-Marseille arritën të ringjallën një virus gjigant që ata izoluan nga permafrost siberian, duke e bërë atë përsëri infektues për herë të parë në 30,000 vjet. Autori i studimit, Jean-Michel Claverie, i tha BBC-së në atë kohë se ekspozimi i shtresave të tilla akulli mund të jetë një “recetë për katastrofë”.

Sidoqoftë, ekipi i Aris-Brosou theksoi se parashikimi i rrezikut të lartë të përhapjes nuk është e njëjta gjë me parashikimin e transmetimeve aktuale ose pandemive. “Për sa kohë që viruset nuk janë njëkohësisht të pranishëm në mjedis, gjasat e ngjarjeve dramatike ndoshta mbeten të ulëta ,” shkruajnë ata.

Nga ana tjetër, ndryshimi i klimës parashikohet të ndryshojë gamën e specieve ekzistuese, duke sjellë potencialisht në kontakt me viruset ose bakteret e lashta strehëza të reja.

“I vetmi përfundim që mund të nxjerrim me siguri është se me rritjen e temperaturave, rreziku i difuzionit në atë mjedis rritet,” tha Aris-Brosou. “A do të çojë kjo në pandemi? Nuk e dimë ende me siguri”.

“Ne duhet urgjentisht të eksplorojmë botët mikrobike në të gjithë planetin për të kuptuar këto rreziqe në kontekst,” përfundoi ajo.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu