Gjerdanët dhe aksesorët që pretendojnë se mbrojnë njerëzit nga rrjetet celulare 5G kanë rezultuar se janë radioaktive. BBC shkruan se autoriteti holandez për sigurinë bërthamore dhe mbrojtjen nga rrezatimi (ANVS) lëshoi një paralajmërim për dhjetë produkte që zbuloi se lëshonin rrezatim të dëmshëm jonizues.
Ai u bëri thirrje njerëzve që të mos përdorin produktet, të cilat mund të shkaktojnë dëm me konsumimin afatgjatë. Nuk ka asnjë provë që rrjetet 5G janë të dëmshme për shëndetin.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se rrjetet celulare 5G janë të sigurta dhe nuk ndryshojnë thelbësisht nga sinjalet ekzistuese 3G dhe 4G. Rrjetet celulare përdorin valë radio jojonizuese që nuk dëmtojnë ADN-në.
Pavarësisht kësaj, ka pasur sulme ndaj transmetuesve nga njerëz që besojnë se janë të dëmshëm. Produktet e identifikuara përfshinin një maskë gjumi “Energy Armor”, byzylyk dhe gjerdan. Një byzylyk për fëmijë, i quajtur Magnetix Wellness, u zbulua gjithashtu se lëshonte rrezatim.
“Mos e vishni më, vendoseni në mënyrë të sigurt dhe prisni udhëzimet,” tha ANVS në një deklaratë.





