GJKKO kalon për gjykim dosjen ndaj Benet Becit dhe 6 të pandehurve për abuzime me tenderat e KESH-it

0

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur kalimin për gjykim të dosjes ndaj kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i akuzuar për shkelje të barazisë në tendera.

Së bashku me Becin, në këtë çështje janë marrë të pandehur edhe Jonid Kazani, Edlira Mitrushi dhe Yllka Nishku, si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave: Rudin Gjoni, Premtim Dauti dhe Adela Ruko. Vendimi për kalimin e çështjes për gjykim është marrë nga gjyqtarja Marinela Osmani.

Sipas Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Beci dyshohet se ka shkelur parimin e barazisë mes operatorëve ekonomikë në një tender konsulence të zhvilluar nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare në vitin 2019. Tenderi kishte si objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjetik” dhe një vlerë prej 96.5 milionë lekësh.

Hetimet janë nisur kryesisht mbi bazën e referimeve nga Byroja Kombëtare e Hetimit, pas sekuestrimit të provave materiale në banesën e Evis Berberi.

Burime nga procesi bëjnë të ditur se një pjesë e të pandehurve, përfshirë edhe Benet Becin, kanë kërkuar gjykim të shkurtuar. Vendimi për këtë kërkesë pritet të merret nga një trupë tjetër gjykuese e GJKKO-së në vijim të procedurave.