Gjykata e Posaçme ka lënë në burg ish-presidentin Ilir Meta, të akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie nga SPAK.
Vendimi është dhënë sot pas gati 5 orë seancë me tensione ku e pranishme ishte dhe Monika Kryemadhi.
Kjo e fundit është lënë me masën “detyrim paraqitje”, ashtu si edhe Pirro Xhixho, për shkak të problemeve shëndetësore, dhe Ema Çoku.
Në përfundim të seancës, në një deklaratë për mediat, Kryemadhi nuk kurseu ironitë dhe akuzat për prokurorët e SPAK.
“Për zotin Xhixho detyrim paraqitje, se është i sëmurë. E gjitha është që të mos kandidojë Erisa Xhixho, Meta, unë. Nuk kishim asnjë pritshmëri, e vështirë është që të dalësh kundër prokurorisë, por të paktën nxorrëm ato që kishim për të thënë. Çështja e CEZ-DIA ka nisur prej 6 vjet, e kanë bashkuar me akuzat e mija, dhe ishte shumë qesharake kur prokurori tha Monika Kryemadhi ka hequr mitrën në bashkëpunim me Ilir Metën.
Ia sqarova prokurorisë dhe gjyqtarit të gjitha gjërat, dhe gjyqtari u shokua por nuk e ndryshon vendimin e prokurorisë. Ilir Meta nuk është i rrezikshëm. Unë do kisha qejf detyrimin paraqitje një herë në javë, të takohemi këtu”, tha ajo.
Seanca për masat nisi ditën e sotme rreth orës 09:10, por u shty për disa orë pas përplasjeve të Metës me kreun e SPAK, Altin Dumani, i cili ndodhej brenda sallës së gjyqit.
Meta, u raportua se e kishte ofenduar Dumanin duke e quajtur “qen” dhe “dumduman”, teksa e kërcënoi duke i thënë “do të ta kem vath në vesh këtë që më bëre”.
Ata akuzohen për skandalin korruptim CEZ-DIA, fshehjen e parave të lotimit në SHBA si dhe pë disa dhjetra pagesa dhe shpenzime në mijëra euro, të padeklaruara.