Gjobat për deklarimin e pasurisë, zyrtarët paguajnë vullnetarisht shumicën e parave

0

Problematikat në deklarimin e pasurisë nga ana e zyrtarëve që sipas ligjit duhet ta bëjnë këtë sjellin ndëshkim me gjoba të tyre nga ana e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit.

Në 4 muajt e parë të vitit është konstatuar se shumica e parave të arkëtuara kanë ardhur nga pagesa vullnetare e zyrtarëve të dënuar me gjobë edhe pse numri i tyre në fakt është dy herë më i ulët se i atyre që kanë paguar “jo me dëshirë”.

Sipas raportimit të bërë nga ILDKPKI të ardhurat në këtë periudhë kanë qenë si efekt i sy zërave.

“1. Arkëtimi i gjobave të vendosura për rastet e shkeljes së detyrimeve ligjore, gjatë zbatimit të ligjit nr.9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, ligjit nr.9367, datë 7.4.2005 “për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” i ndryshuar, ligjit nr.60/2016, datë 2.6.2016 “Per sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve” i ndryshuar, nga subjekte në sektorin publik dhe privat. Për 4-mujorin e parë të vitit 2022, janë gjithsej 12 raste të ekzekutuara me vullnet të lirë, në vlerën 3.150,000 (tre milion e njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë.

2. Ekzekutimi i detyrueshëm nga Zyrat Përmbarimore të rretheve për gjobat e vendosura për rastet e shkeljes së detyrimeve ligjore, si dhe vendimeve gjyqësore që kanë marrë formë të prerë. Për këtë periudhë janë ekzekutuar tërësisht gjithsej 24 raste, në vlerën 2,966,000 (dy milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë) lekë” thuhet në përmbledhjen e Inspektoratit për buxhetin e këtij të fundit.

I njëjti dokument përmbledh se gjithsej të ardhurat të arkëtuara për periudhën janar-prill 2022, janë në vlerën 6.116.000 lekë.

“Të gjitha këto të ardhura, të realizuara në zbatim të ligjeve organike mbi të cilat funksionon Inspektorati i Lartë dhe të VKM nr.432, datë 28.6.2006 “mbi të ardhurat në institucionet buxhetore”, kanë kaluar në Buxhetin e Shtetit në masën 100%” thuhet në dokument./MONITOR

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu