Gjukanoviq tha se mund të bëhet fjalë vetëm për “individë ose organizata terroriste që e vënë veten në shërbim të interesave ruse për të destabilizuar vendet fqinje”.
“Ne e dimë se një pjesë e qytetarëve të Malit të Zi, si dhe të vendeve të tjera të rajonit, për fat të keq demonstrojnë se mbështesin agresionin rus”, tha Gjukanoviq.
Presidenti i Malit të Zi u takua me Presidenten e Moldavisë, Maja Sandu, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Sandu, tha më 13 shkurt se Rusia planifikon të përdorë sabotues të huaj për të rrëzuar udhëheqjen e vendit të saj, për të ndalur anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe ta përdorin këtë në luftën kundër Ukrainës. Sipas saj, ky plan përfshin qytetarë të Rusisë, Malit të Zi, Bjellorusisë dhe Serbisë që hyjnë në Moldavi.
Në ditën kur Sandu shpalli akuzat për ekzistimin e një plani të tillë, nga Moldavia u kthyen tifozët e ekipit të futbollit Partizan nga Beogradi.
Autoritetet moldave nuk kanë njoftuar nëse vendimi për të luajtur ndeshjen pa publik dhe pretendimet e presidentes së vendit lidhur me planin për të rrëzuar udhëheqjen, janë të ndërlidhura.
Ndërsa një ditë më vonë, zyrtarët në Beograd dhe Podgoricë thanë se nuk kishin një informacion të tillë dhe i kërkuan Moldavisë sqarime shtesë në lidhje me pretendimet e saj.
Më 14 shkurt, Rusia hodhi poshtë akuzat e presidentes së Moldavisë se Moska po planifikonte të destabilizonte ish-Republikën sovjetike.
Ndryshe, gjatë vitit të kaluar, Moldavia, shtet fqinj i Ukrainës, është përballur me një sërë shqetësimesh të sigurisë, pasi copëza të raketave ruse kanë rënë në territorin moldav.
Moldavia po ashtu është përballur me reduktime të energjisë, pasi Ukraina ndaloi eksportin e energjisë për shkak të sulmeve ajrore ruse ndaj infrastrukturës së saj kritike. REL