Gjykata austriake lë në burg 36 vjeçarin shqiptar, akuzohet se ka mbajtur mbyllur gruan për 10 vite

0

Një shqiptar nga Maqedonia e Veriut ka dalë para gjykatësit në Gjykatën e Landit të Klagenfurt të enjten për dhunë të vazhdueshme ndaj gruas së tij dhe përndjekje, pasi ajo kishte ikur tashmë në një strehë për gratë, bashkë me fëmijët e saj.

Sipas prokurores publike, periudha e dhunës ka zgjatur më shumë se dhjetë vjet përpara se gruaja t’i tregonte për këtë një këshilltareje të AMS-së, e cila i gjeti asaj një vend në një strehë për gratë, në verën e vitit 2024.

Por vuajtja e gruas, e cila, sipas deklaratave të saj, ishte rrahur dhe kërcënuar nga burri, nuk përfundoi me kaq. I shoqi i ka zënë pritë për orë të tëra para strehës së grave dhe ka tentuar të kontaktojë me të dhe fëmijët aty, shkruan agjencia austriake e lajmeve apa.at.

Në vjeshtën e vitit 2024, atij ju vunë prangat dhe i pandehuri që atëherë ndodhet në paraburgim.

Në seancën që ka zgjatur pesë orë e gjysmë, i pandehuri mohoi përdorimin e vazhdueshëm të dhunës dhe pranoi vetëm një incident dhune. Çifti jetonte në Ëels deri në fund të vitit 2022, por më pas u zhvendos në Carinthia, ku, sipas aktakuzës, ai e po e izolonte gjithnjë e më shumë gruan, përcjell albinfo.ch.

I akuzuari pranoi dhe kërkoi falje për ngacmimet e vazhdueshme për të cilat akuzohej kur ajo tashmë jetonte në strehimoren e grave. Ai pretendon se ishte në një situatë të jashtëzakonshme dhe donte të shpëtonte marrëdhënien e tij.

Gjyqtari hodhi poshtë kërkesën e mbrojtjes për lirimin e shqiptarit, duke përmendur rrezikun e arratisjes dhe rrezikun e kryerjes së një krimi, transmeton albinfo.at. “Familja e tij është më e rëndësishme për të se çdo pajtueshmëri ligjore,” përmblodhi gjyqtari në vlerësimin e tij.