Gjykata e Elbasanit lë në burg nënkomisarin e arrestuar për fajdet!

0

Nënkomisari i Policisë së Elbasanit, Edison Pema është lënë në burg.

Zyrtari i Policisë së Shtetit doli sot para Gjykatës së Elbasanit për t’u njohur me masën e tij të sigurisë.

Në seancën e sotme, trupa gjykuese vendosi që Pema të qëndrojë në qeli deri në prëfundim të hetimeve.

Pema u arrestua 2 ditë më parë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan–Korçë) pasi dyshohet se ka dhënë para me fajde dhe ka kryer kanosje me dhunë.

Për këtë arsye, po hetohet për disa vepra penale: “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, në kuadër të një skeme fajdesh.

Konkretisht Pema i kishte dhënë hua 7 mijë euro një personi dhe i merrte kamatë çdo javë 2 mijë euro.

Në total borxhi kishte arritur vlerën mbi 100 mijë euro interesa.

Përveç interesit mujor të jashtëligjshëm, Pema kishte marrë peng 5 automjete në pronësi të viktimës, duke ushtruar mbi të kanosje dhe presion të vazhdueshëm për të siguruar kthimin e shumës me përfitime të larta.