Gjykata e Tiranës ka rrëzuar padinë e kryeministrit Edi Rama kundrejt ish-kreut tw PD, Lulzim Basha për cenim të nderit dhe personalitetit, pas deklaratave publike të vitit 2018 mbi përfshirjen e zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste në aferat e dosjes “339”.
Kreu i qeverisë e kishte paditur Bashën për cenim të nderit dhe personalitetit dhe kërkonte që ai të paguante dëmin jo pasuror në vlerë 1 mln lekë.
Basha kishte hedhur akuza për përfshirjen e Vangjush Dakos dhe strukturave të PS-së në bashkëpunim me grupe kriminale për blerje votash.
Me vendimin e datës 11 qershor, Gjykata e Tiranës vendosi rrëzimin e padisë me argumentin se është e pabazuar në ligj e në prova, teksa shpenzimit gjyqësore do të paguhen nga pala paditëse. Ky vendim i gjykatës mund të apelohet brenda 15 ditësh.
Një ditë më parë, zyra e shtypit e Koalicionit Euroatlantik tha se “Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë rrëzoi padinë e Ramës, duke vlerësuar se deklaratat e Bashës përbënin një opinion politik të ligjshëm, të mbështetur në fakte të njohura publikisht, dhe të bërë në funksion të detyrës së tij si lider i opozitës.”
Njoftimi i plotë i Gjykatës së Tiranës
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Civile, më datë 11.06.2025, pasi shqyrtoi në seancë gjyqësore, në praninë e përfaqësuesit të palës paditësë, kërkesën me paditës: Edi Rama, të paditur Lulzim Basha, me objekt:
1. Detyrimi i të paditurit të shpërblejë dëmin jo pasuror, shkaktuar paditesit, si rezultat i thënieve të pavërteta të deklaruara prej tij, nga selia e Partisë Demokratike, në prononcim për mediat me datë 22.10.2018, në shumën 1.000.000 (një milion) lekë si dhe shpenzimet gjyqësore dhe ato avokatore.
2. Detyrimi i të paditurit të publikojë një përgënjeshtrim në të gjitha mediat që kanë publikuar deklaratën apo lajmin mbi të, sipas listës së përcaktuar në pikën D.2 të kërkesë padisë”.
Gjykata, bazuar në rrethanat e konstatuara gjatë hetimit gjyqësor, në dispozitat ligjore përkatëse dhe në arsyetimin e mësipërm, çmon se padia nuk duhet pranuar pasi është e pabazuar në ligj dhe në prova,
Gjykata mbështetur në nenet 126, 306 deri 310 të Kodit të Procedurës Civile:
1. Rrëzimin e padisë pasi është e pabazuar në ligj e në prova.
2. Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës paditëse.
3. Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit Juridiksioni i Përgjithshëm brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve duke nisur afati nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.