TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesën e 28 deputetëve të Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni hetimor për “Për verifikimin e mënyrës së zbatimit të ligjit “Për investimet strategjike”. Me dy kërkesa të ndryshme, 28 deputetë të PD-së iu drejtuan Kushtetueses në muajin korrik, duke pretenduar se “është cenuar e drejta e pakicës parlamentare për të kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor”. Ndaj dhe në kërkesën e tyre, i kërkuan Gjykatës Kushtetuese që të interpretonte nenin 77/pika 2 të Kushtetutës, që parashikon se Kuvendi ka të drejtë dhe me kërkesë të 1/4 të deputetëve për ngritjen e një Komisioni hetimor për të shqyrtuar çështjen e ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.
Por në mbledhjen e datës 28 tetor, Gjykata Kushtetuese vendosi që të mos e pranojë kërkesën e PD-së për shqyrtim në seancë plenare, me argumentin se nuk plotëson kriteret formale. Madje theksuan se në kërkesën e dërguan kishte më pak firma deputetësh se ¼ e Kuvendit, një numër i domosdoshëm për të shqyrtuar pretendimet e tyre.
“Në kushtet kur konflikti i krijuar si rrjedhojë e vendimit të kundërshtuar të Kuvendit nr. 53/2022, në thelb, ka të bëjë me një mosmarrëveshje kompetence, Mbledhja e Gjyqtarëve vlerëson se në çështjen në shqyrtim një grup prej jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, si subjekt kushtetues i ndryshëm nga një e katërta e deputetëve, nuk përbën subjekt në konfliktin kushtetues,”- thuhet në arsyetimin e vendimit, duke mos legjitimuar si subjekt në kërkesën drejtuar Gjykatës.
Kundër këtij arsyetimi ishin anëtaret Sonila Bejtja dhe Marsida Xhaferllari, të cilat vlerësuan se kërkesat duhet që të kalonte për gjykim në Kushtetuese dhe se duhej bërë interpretimi i dispozitës kushtetuese. Lidhur me vendimin e marrë, një reagim erdhi nga Gazment Bardhi, i cili ngriti aludime për ndërhyrje nga oligarkët.
Si përfundoi çështja në Gjykatë Kushtetuese?
PD tentoi të ngrinte një hetim parlamentar, pasi Komiteti i Investimeve Strategjike mori vendim për t’i dhënë statusin “investitor strategjik” Artan Gaçit, ish-deputet socialist dhe bashkëshort i ministres së Jashtme, Olta Xhaçka. Deputetët që kërkuan hetimin pretenduan se ligji po zbatohej në mënyrë klienteliste dhe se përfitues të vërtetë ishin njerëz pranë qeverisë dhe jo investitorë të vërtetë. Por kërkesa u rrëzua nga Partia Socialiste, ndërsa opozita premtoi dërgimin e çështjes në GJK.