Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë vendosur të zgjasin edhe për dy muaj të tjerë masën e paraburgimit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli. Vendimi është marrë më 11 prill nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Në vendimin e tij, trupi gjykues ka vlerësuar se, ndonëse nuk ka prova të mjaftueshme që Thaçi dhe Veseli do të tentonin arratisjen në rast të lirimit, ekziston ende rreziku që ata të ndërhyjnë në procesin gjyqësor, veçanërisht përmes ndikimit te dëshmitarët apo te individë që perceptohen si kundërshtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka theksuar se këto rreziqe nuk mund të eliminohen në mënyrë të mjaftueshme përmes ndonjë mase tjetër përveç paraburgimit. Trupi gjykues ka rënë dakord me këtë qëndrim, duke theksuar se paraburgimi mbetet mënyra më e sigurt për të shmangur çdo ndërhyrje të mundshme në procesin gjyqësor apo cenim të konfidencialitetit.
Ndërkohë, katër ditë më parë gjatë një konference javore, u bë e ditur se paraburgimi ndaj Thaçit është zgjatur edhe në një rast tjetër që lidhet me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.