Gllabëroi mbi 300 milionë euro, shembje dherash në Rrugën e Arbrit. Aksi u ndërtua pa skarpate mbrojtëse, qytetari: Çfarë bën SPAK?

0

Rruga e Arbrit vijon të jetë e pasigurt për të gjithë ata që e përdorin këtë aks për të lëvizur drejt Tiranës apo Qarkut Dibër.

“News 24” raporton se probleme nuk ka vetëm në aksin e Xibrit, por edhe shumë pak metra larg kryeqytetit. Prej dy ditësh në afërsi të Shkallës së Tujanit ka rënie dherash e gurësh, duke rrezikuar mjetet që lëvizin në rrugë. Drejtuesit e mjeteve shprehen se krejt rruga është e pasigurt pasi jo vetëm ka shembje, por as sinjalistikë informuese apo paralajmëruese për rreziqet.

Ata kërkojnë që ky koncesion të hetohet nga SPAK dhe të vihen para përgjegjësisë shpenzuesit e taksave të shqiptarëve.

“SPAK-u çfarë bën? Nëse në Itali do të ndodhte kjo gjë do të ishte bërë nami. Këtu duhet të vijë SPAK me sekonda. Gjithë këto miliona euro që janë hedhur këtu dhe rruga është copë-copë. Nuk ke ku ankohesh e kë merr në telefon”, ka deklaruar një nga qytetarët për News24.

Problematika të tilla ka pasur edhe në “by pass”-in e Murrizit, pranë tunelit në Xibër, në fshatin Fshat të Klosit e pika të tjera.

RRUGA PA TROTUARE

Edhe pse e ndërtuar së fundmi, Rruga e Arbrit nuk ka as trotuare. Dhjetëra nxënës të Shkollës së Mesme të Bashkuar të Xibrës përshkruajnë dy herë në ditë segmentin, duke rrezikuar jetën e tyre nga makinat që qarkullojnë me shpejtësi. Kështu shkojnë çdo ditë në mësim nxënësit e Shkollës së Mesme të Bashkuar të Xibrës. Këtë rrugë, përshkojnë 2 herë në ditë nxënësit e fshatrave në këtë zonë, ndër ta edhe shumë të vegjël, duke rrezikuar jetët e tyre, pasi rruga nuk ka një trotuar për këmbësorët. Rruga që deri me tani ka gllabëruar miliona euro nga fondet publike ofron pasiguri dhe kërcënon seriozisht jetët e kalimtareve të vegjël.

“Kalojmë këtu për cep të xhadesë. Kemi frikë shpejtësinë e makinave pasi ecin shpejt. Nuk ka trotuar. Është problem për punën e kalimit. Këtej kalojnë edhe fëmijë të vegjël”, tha një gjimnazist. “Frikë kemi se makinat kalojnë këtu pasi ecin me shpejtësi”, tha një tjetër.

“Ne nuk kemi rrugë tjetër dhe nuk kemi ku të kalojmë”, tha një nxënëse.

PUNA ME MJETE RRETHANORE

Mungesa e trotuarit nuk është problem i vetëm në Rrugën e Arbrit, punimet për të cilën zvarriten prej vitesh e që do të kushtojnë plot 311 milion euro. Traseja e rrugës në Njësinë Administrative Xibër në Klos deformohet çdo ditë e më shumë, ndërsa kompania “Gjoka Konstruksion” e kontraktuar për punimet mundohet t’i mbulojë këto probleme me mjete rrethanore, siç është ky rast kur me bombol gazi shkrin materialin ngjitës.

“Këtu janë miliarda lekë. Kjo është mizerje. Shiko kanë kapur një bombol gazi. Kanë vendosur do arna. Çfarë është ky shtet kështu? Duhet të zhduket njëherë e përgjithmonë. Paguajmë taksa dhe rruga është krejt gropa. Bombola është për të bërë kafe jo për të ndërtuar rrugën e Arbrit”, tha një banor për “News 24”.

“NË GREQI NUK KA RRUGË TË TILLA”

Ndonëse është një rrugë që do t’i kushtojë shumë taksapaguesve shqiptarë, cilësia e punimeve në segmentin pranë njësisë administrative Xibër lë shumë për të dëshiruar. Drejtuesit e mjeteve thonë se gjendja e rrugës, iu rrezikon jetën pasi deformimet janë pambarim.

“Nuk është ‘by pass’ siç e quajnë këta false. Është turp me i thënë ashtu. Është tmerri i makinave. Kjo nuk është Rruga e Arbrit. Kjo është rruga e tmerrit”, tha një drejtues mjeti i indinjuar. Shumë keq. Sot, kemi ardhur nga Greqia dhe rruga është për ibret. Do bëhen aksidente. Ujërat janë në mes të rrugës. Në Greqi nuk ka kështu rrugësh. Nuk gjen as në fshatra të braktisur. Nuk mund të ndodhë. Ky është korrupsion i gjallë. Mjerë ata që kanë ngelur këtu. Më vjen keq për njerëzit tanë”, tha një emigrant i sapokthyer në Dibër pak ditë më parë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu