Tetë persona kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës në kuadër të një operacioni për goditjen e dy call centerave që mashtronin shtetas nga vende të ndryshme të botës. Këta persona, bashkëpronarë dhe punëtorë në 2 subjektet, dyshohet se i pastronin të ardhurat e përfituara nga mashtrimet nëpërmjet bizneseve të tyre dhe të të afërmve.
Si rezultat i operacionit “World Clock”, u ndaluan shtetasit: Eni Sula, Emiljano Paja, Mario Sota, Erjon Hoxha, Alma Haruni, Saimir Brakaj, Fjoralba Hoxha dhe Erjona Murrizi.
Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, nëpërmjet 2 subjekteve ekonomike call center të paregjistruara, në kryeqytet mashtronin shtetas nga disa kontinente, kryesisht gjatë orëve të natës, që të investonin shuma të konsiderueshme parash, në tregje fiktive.
Në kuadër të hetimit u sekuestruan 13 500 euro; një automjet luksoz, prodhim i viteve të fundit; 75 laptopë, 25 kompjuterë, 35 celularë, 2 servera, 2 DVR dhe disa blloqe shënimesh, me emrat e shtetasve të mashtruar.