“Goditet” grupi kriminal shqiptar në Belgjikë! Gjashtë persona në pranga (DETAJE)

0

Autoritetet belge kanë zhvilluar një operacion antidrogë ku kanë goditur një organizatë kriminale shqiptare. Raportohet se gjashtë shtetas u vendosën në pranga, të cilët akuzohen se ishin pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës.

Hetimet kishin nisur që në nëntor të vitit 2023 nga Policia Federale Gjyqësore (PJF) në Leuven, pas dyshimeve se grupi kishte ngritur plantacione të sofistikuara kanabisi në Belgjikë dhe Francë, si dhe ishte i përfshirë në transport ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Grupi kriminal operonte kryesisht nga rajonet Diest, Geel dhe Liège, ndërkohë që kishte lidhje me bashkëpunëtorë në disa vende të tjera evropiane, duke përdorur një rrjet të mirëorganizuar logjistik. Operacioni kulmoi me 11 kontrolle në qytetet Diest, Geel, Herstal, Lummen, Liège, Oupeye dhe Tremelo.

Tetë persona u arrestuan, nga të cilët gjashtë të moshës nga 32 deri në 46 vjeç  u vendosën në paraburgim me urdhër arresti, ndërsa dy të tjerë u lanë të lirë por mbeten në hetim. Në të njëjtën ditë, autoritetet shqiptare dhe franceze zhvilluan kontrolle të ngjashme në territoret e tyre ku në disa banesa u gjetën 36.5 kilogramë kanabis, si dhe substanca të tjera narkotike si ketaminë, kokainë, ekstazi, gaz i qeshur dhe amfetaminë. Gjithashtu, u gjetën para cash, armë zjarri dhe prova të tjera materiale që do t’i nënshtrohen hetimeve të mëtejshme.