Policia greke ka goditur një rrjet të trafikimit të qenieve njerëzore duke vënë në pranga 23 persona.
Grupi transportonte klandestinë nga Shqipëria përmes tokës dhe detit. Në anijen e përdorur për këto raste ishte përshtatur një kabinë e posaçme për të fshehur njerëzit.
Në kuadër të operacionit “Kerveros” policia greke ka sekuestruar 3.700 pasaporta dhe kartë identiteti të vendeve të ndryshme të falsifikuara dhe 50 mijë euro cash. Ndërkohë, ka zbuluar të paktën katër laboratorë ku prodhoheshin dokumente false kryesisht shqiptare dhe greke. Sipas mediave greke, në pranga ka rënë dhe kreu i grupit. Ai kishte ngritur laborator brenda një apartamenti në zonën e banesave të punëtorëve të Peristerit në Athinë.
Gjatë kontrolleve në apartamente policia gjeti çanta me pasaporta false, sirtarë me pulla dhe zarfe me para. Media greke shkruan se rrjeti ishte i përfshirë në më shumë se 500 raste të trafikut të paligjshëm të klandestinëve, duke fituar një total prej të paktën 4 milionë euro.