KUKËS- Policia ka shpallur në kërkim tifozin e Kukësit për ngjarjen e shëmtuar ku Tedi Cara u dëmtua me një shishe uji teksa po festonte golin e avantazhit në ndeshjen e javës së pestë të Kategorisë Superiore, Kukësi-Partizani.
Policia e ka shpallur në kërkim dhe ka ngritur ndaj tij akuzën: “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit dhe ndërmjetësit sportiv”.
Lojtari pësoi 7 të çara dhe në një intervistë, sulmuesi u shpreh se shishja ishte me akull, çka e bën edhe më të dhunshëm këtë akt të tifozit, i cili është identifikuar dhe shpallur në kërkim.
NJOFTIMI I POLICISË
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim, për veprën penale “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit dhe ndërmjetësit sportiv”, shtetasin A. E., 47 vjeç, banues në Kukës.Gjatë ndeshjes së futbollit “Kukësi-Partizani”, të zhvilluar më datë 19.09.2022, në stadiumin “Kukës Arena”, ka hedhur një send të fortë (shishe me ujë të ngrirë) në fushë që ka goditur njërin nga futbollistët, shtetasin T. C. Vijon puna për kapjen e tij.