SPAK dhe autoritetet finlandeze godasin rrjetin e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe sintetike.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me autoritetet finlandeze po vijon hetimet për veprat penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Procedimi penal është regjistruar pas kërkesës për bashkëpunim, e cila është paraqitur më 21.06.2023 nga Qendra e Policisë për Krime të Finlandës dhe policisë së Lounais-Suomi, lidhur me hetimet të zhvilluara për trafikim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike të rrezikshme në Finlandë, nga grupe të strukturuara kriminale, të përbërë nga shtetas shqiptarë, në bashkëpunim të ngushtë me shtetas të tjerë finlandezë, europianë dhe aziatikë.
Më datë, 21.11.2023, në kuadër të hetimeve të përbashkëta është krijuar Skuadra e Përbashkët Hetimore, mes Prokurorisë së Posaçme dhe Policisë Qendrore Kriminale të Finlandës, Departamentit pranë Institucionit Policor të Finlandës Jugperëndimore dhe Departamentit pranë Institucionit Policor të Helsinkit.
Pas krijimit të Skuadrës së Përbashkët Hetimore, gjatë 18 muajve të hetimeve intensive, u përdorën metoda speciale të hetimit si; përgjime të komunikimeve telefonike apo regjistrime të fshehta fotografike, filmike apo video, në vende publike, si edhe janë shkëmbyer në kohë reale informacione dhe prova me Byronë Kombëtare të Hetimit të Finlandës.
Nga provat e administruara rezulton se:
Gjatë viteve 2022 dhe në vazhdim, janë evidentuar 4 grupe të strukturuara kriminale, në përbërje të të cilëve kanë qenë shtetas shqiptarë dhe të huaj. Këto grupe, të krijuar, organizuar dhe drejtuar nga shtetas shqiptarë, kanë mundur të trafikonin në territorin e Republikës së Finlandës, sasi të konsiderueshme lëndësh apo substancash narkotike me rrezikshmëri të lartë, përfshirë; kokainë, amfetaminë, kanabis, ekstazi dhe substanca të tjera psikotrope. Droga trafikohej dhe transportohej nga Holanda dhe Spanja si dhe më pas dorëzohej, tregtohej, shpërndahej në disa qytete të Finlandës duke shfrytëzuar edhe një rrjet të mirëorganizuar shpërndarësish të lëndës/substancave narkotike, me qëllim sigurimin e të ardhurave të jashtëligjshme.
Karakteristikë e këtyre grupeve të strukturuara kriminale ka qenë bashkëpunimi mes tyre për realizimin e qëllimeve kriminale ose në disa raste, disa anëtarë të grupeve të strukturuara kriminale, vepronin edhe për llogari të grupeve të tjera. Një pjesë e anëtarëve të këtyre grupeve të strukturuara kriminale janë arrestuar dhe dënuar nga gjykatat e shkallëve të para të Finlandës për këtë veprimtari kriminale.
Episodet më të rëndësishme të dokumentuara gjatë viteve 2022-2024 përfshijnë:
Trafikimin dhe më pas shitjen e rreth 400 kg amfetaminë, mbi 500 kg kanabis si dhe sasi të konsiderueshme kokaine.
Shpërndarjen masive të tabletave ekstazi dhe substancave të tjera të ndaluara në Helsinki dhe qytete të tjerë.
Masa sigurie dhe arrestime:
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr.52, datë 02.06.2025, ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Proçedurës Penale ndaj 11 shtetasve shqiptarë.
Më 03.06.2025 nga Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është bërë e mundur zbatimi i masës së sigurisë për 9 persona nën hetim.
B.S, (27.01.1985)
E.A (alias E.T 07.02.1991)
A.M (07.06.1981)
K.Q (14.04.1981;
T.K (alias T.T 15.10.1977)
G.S (05.07.1994;
E.M, (29.05.1983)
L.H, (09.01.1983)
D.L, (07.06.1983)
Gjatë ekzekutimit të masave të sigurimit janë ushtruar kontrolle të shumta në banesa dhe ambiente biznesi si dhe janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale: 8 automjete, 13 telefona celularë dhe prova shkresore të ndryshme.
Në zbatimin e masave të sigurisë dhe ushtrimin e kontrolleve kanë marrë pjesë edhe oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit në Finlandë, të policisë së Helsinkit dhe Turkut, Finlandë. Ndihmë të veçantë në hetimin e këtij procedimi penal ka dhënë Zyra e Oficerit Ndërlidhës të Vendeve Nordike për Shqipërinë dhe Kosovën, duke ngritur urat lidhëse mes SPAK dhe autoriteteve hetimore dhe policore të Finlandës.