Grabitën dy biznese në Tiranë, arrestohet një nga autorët, shpallen në kërkim dy të tjerë

0

TIRANË – Një person është arrestuar nga Policia në Tiranë dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi akuzohen se kanë grabitur dy biznese në kryeqytet. Në pranga ka rënë B. N., 38 vjeç, ndërsa në kërkim janë shpallur R. F. dhe E. L.(S). Sipas policisë këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë grabitur dy biznese mëngjesin e djeshëm, si dhe kanë tentuar të vjedhin në një banesë.

Njoftimi i Policisë:

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Nata”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes.

Identifikohen 3 shtetas që vodhën me thyerje, në 2 biznese, dhe tentuan të vidhnin në një banesë, gjatë orëve të para të mëngjesit.

Vihet në pranga njëri prej tyre, punohet për kapjen e 2 të tjerëve.

Në vijim të punës për zbardhjen e rasteve të vjedhjes së pronës/pasurisë, identifikimin e autorëve, kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Nata”, si rezultat i të cilit janë zbardhur tre raste në këtë fushë dhe janë identifikuar 3 autorët e dyshuar, shtetasit B. N., 38 vjeç, R. F. dhe E. L.(S).

Shtetasi B. N., i cili është arrestuar, në bashkëpunim me 2 shtetasit e tjerë, të cilët janë shpallur në kërkim, gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së djeshme, kanë vjedhur pajisje dhe vegla pune, në një biznes dhe në një kantier ndërtimi, si dhe kanë tentuar të vjedhin në një banesë.

Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.   Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim”