Një gjobë prej 120 mijë eurosh është vendosur ndaj një 76-vjeçari, banues në Rodos, Greqi, pasi ka braktisur katër kotele në një kuti kartoni.
Ngjarja ka ndodhur në Rodos në fund të muajit prill 2023 dhe përveç çështjes penale të ngritur ndaj 76-vjeçarit, me të cilën ai do të mbajë përgjegjësi në gjykatë, janë konfirmuar edhe gjoba prej 30 mijë euro për çdo kotele.
Autoritetet kanë arritur të zbulojnë se 76-vjeçari ka braktisur katër kotelet, të cilat i kishte vendosur në një kuti, në një zonë pranë shtëpisë së tij, më 26 prill 2023. Kafshët ishin në gjendje të keqe dhe kjo bëri që ndaj 76-vjeçarit të ngrihej një çështje penale për keqtrajtim të kafshëve, por edhe gjobë prej 30.000 euro për secilën prej tyre, pra gjithsej 120.000 euro.
Por në një kohë që autoritetet greke ndëshkojnë me gjoba mijëra euro të moshuarin vetëm se braktisi kotelet në një kuti, në Shqipëri, policia mjafohet me procedime penale për shqiptarët që helmojnë kafshët, i keqtrajtojnë, i vrasin apo i tërheqin zvarrë në mes të rrugëve.