Greva e kontrollorëve drejt fundit? Flet avokati, Kthupi: Një pjesë e kontrollorëve mund të rikthehen

0

Dy mbikëqyrësit Armando Fezga me Muhin Mezinin dhe kontrollorja e turnit Flora Ndreca janë tre kontrollorët e arrestuar nga policia me akuzën e shpërdorimit të detyrës për bllokimin e aeroportit të Rinasit ditën e mërkurë.

Avokati i  kontrollorëve, Rezart Kthupi i ftuar në Radarin Informativ në ABC u shpreh se nuk e kishin menduar se çështja do të shkonte deri te arrestimet. Ai tha se ishin përgatitur për dialog, por akuzoi se në vend të “karotës” iu dha “shkopi”.

I kishit menduar arrestimet? “Normalisht jo. Ishim përgatitur për dialog, tani kemi rastin e “shkopit” dhe jo të “karotës”. Nuk lamë punën në Rinas, por ishte një vijimësi ngjarjesh që kulmoi. Ishte një vit total neglizhencë dhe injorim nga institucionet dhe kulmoi me ndërprerjen e punës” tha ai.

Por cfarë po ndodh me tre të arrestuarit që cilësohen si organizatorë dhe kontrollorët e tjerë? “Ekzekutimi është individual i gjithsecilit dhe në këtë pikë duhet të ishin arrestuar në bllok të gjithë. Kontrollorëve që kanë qenë mbrëmë të shoqëruar u janë mbajtur telefonat” tha ai. Por a pret avokati që të ketë arrestime të tjera? “Hipotetikisht mund të ndodhë”.

Por a ka kuptim shpallja e paaftësisë në punë në grup? “Nuk ka kufizim ligjor. Praktikisht është e lejuar. Ligji nuk kuptohet me interpretime. Ishte një stres në vijimësi i të gjithë kontrollorëve. Nuk është situatë e krijuar në një ditë, ishte stres i akumuluar që shpërtheu, kulmoi me pushimin e dy kontrollorëve. Në kontratë nuk parashikohet që mund të lënë punën në bllok”.

I pyetur për mesazhet e zbuluara mes kontrollorëve për vendimin e bojkotit, avokati tha se “Ishte revoltë, akt emocional pasi dy punonjës u pushuan nga puna”. Rezart Kthupi tha se nuk shikon zgjidhje të afërt. “Nuk shikoj ndonjë zgjidhje të afërt optimiste, ndoshta një nga palët do çedojë”.

Në fund avokati e la të hapur mundësinë që një pjesë nga 80 kontrollorët të rikthehen në punë duke pranuar kushtet që janë.

“Është zgjedhje individuale. Këtu nuk jemi në kushtet e njerëzve që janë absolutisht të vendosur të bëjnë këtë pengmarrjen e shtetit. Janë njerëz që logjikojnë, të trembur, të frikësuar dhe të stresuar, nuk ka asnjë habi nëse një pjesë e tyre të pranojnë kushtet që janë. Gjasat, nuk është një fakt që mund ta përjashtosh edhe në unë pozitën e tyre nuk di se cfarë do të kisha vendosur” përfundoi ai.

Tre të arrestuarit pritet që të dalin para gjykatës brenda 72 orëve, ndërsa familjarët dhe miqtë janë interesuar për shëndetin e tyre në ambientet ku po mbahen në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Pas bllokimit për më shumë se 24 orë, pasditen e sotme rinisën fluturimet në Rinas, ndërsa deri nesër do të vijojnë vetëm për këto kategori; udhëtimet humanitare, emergjente, shëndetësore, diplomatike, shtetërore dhe ushtarake. Nesër pritet që të nisin edhe fluturimet komerciale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu