Tiranë, 27 shkurt 2025 – Policia ka dalë me një tjetër reagim zyrtar lidhur me kufizimin e lëvizjes së mjeteve në doganën e Kakavijës, për shkak të protestës dhe grevës nga pala greke.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, ditën e nesërme, më 28 shkurt 2025, do të bllokohet lëvizja e mjeteve në pikat kufitare Kakavijë, Qafë Bot – Sarandë dhe Tre Urat – Përmet. Lëvizja do të lejohet vetëm për këmbësorët pa bagazhe dhe për emergjencat shëndetësore, përfshirë ambulancat.
Policia ka apeluar për qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve që kanë planifikuar lëvizjen drejt Greqisë, të gjejnë alternativa të tjera për të udhëtuar dhe të shmangin grumbullimin në pikat kufitare të përmendura, deri në një njoftim të dytë.
Njoftimi i Policisë: Departamenti i Policisë Kufitare dhe Migracionit në Policinë e Shtetit ka marrë informacion nga Qendra e Bashkëpunimit Policor në Kakavijë, sipas të cilit, më 28 shkurt 2025, nga ora 07:00 deri në orën 23:00, punonjësit e doganës greke në PKK Kakavijë, PKK Qafë Bot – Sarandë dhe PKK Tre Urat – Përmet do të zhvillojnë një grevë. Për këtë arsye, lëvizja e lirë e automjeteve do të pezullohet për këtë periudhë.
Policia Kufitare e Janinës ka njoftuar se gjatë kësaj periudhe, do të lejohen vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe emergjencat shëndetësore, si ambulancat.
Policia Kufitare apelon për qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve të gjejnë rrugë alternative dhe të shmangin grumbullimin në pikat kufitare deri në një njoftim të dytë.
Protesta dhe greva: Protesta dhe greva ditën e nesërme janë organizuar në lidhje me aksidentin e rëndë hekurudhor që ndodhi më 28 shkurt 2023, i konsideruar si aksidenti më i rëndë hekurudhor në historinë e Greqisë. Aksidenti ndodhi kur një tren pasagjerësh që po udhëtonte nga Athina për në Selanik u përplas ballë për ballë me një tren mallrash në afërsi të qytetit Tempi, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 57 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.
Shumë nga viktimat ishin të rinj, përfshirë studentë që ktheheshin në universitet pas një pushimi festiv. Hetimet zbuluan se aksidenti ndodhi për shkak të një gabimi njerëzor dhe problemeve të thella në sistemin hekurudhor, ku përgjegjësia kryesore i ra shefit të stacionit të Larisës. Ky i fundit pranoi se kishte drejtuar trenin e pasagjerëve në të njëjtin shinat me trenin e mallrave.
Ky aksident shkaktoi zemërim të madh në Greqi dhe solli protesta të shumta kundër neglizhencës shtetërore për sigurinë hekurudhore. Ministri i Transportit dha dorëheqjen, dhe qeveria u angazhua të përmirësojë sistemin e transportit hekurudhor, duke nxjerrë në pah mungesën e një sistemi automatik të sinjalizimit dhe menaxhimit të trafikut në hekurudhat greke, çka çoi në një debat të gjerë për modernizimin e infrastrukturës hekurudhore.