Ndërkohë që po punohet për sigurinë e faqeve dhe të dhënave private, një grupim i ashtuquajtur “Homeland Justice” ose “Drejtësia e Atdheut” ka postuar materiale kërcënuese në median sociale “Twitter” ndaj Agjencisë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Prej disa ditësh shërbimet online dhe faqet e disa insitucioneve shtetërore janë mbyllur për arsye sigurie pasi ndaj tyre ka patur një sulm kibernetik, hakerat kanë publikuar dhe një dokument ku shihet njv komunikim shkresor midis Karçanajt dhe sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi.
Përveç, Karçajnajt, hakerat kanë nxjerrë edhe e-mailet e punonjësve të institucionit të Agjencisë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. Në videon e krijuar prej tyre, hakerat listojnë të gjithë e-mailet e marra nga ky institucion.
Ndërkohë që po punohet për sigurinë e faqeve dhe të dhënave private, një grupim i ashtuquajtur “Homeland Justice” ose “Drejtësia e Atdheut” ka postuar materiale kërcënuese në median sociale “Twitter” ndaj Agjencisë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
“Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) do të goditet së shpejti nga një atak në zemër!”, shkruan grupimi i paidentifikuar.
Sipas postimeve të bëra nga kjo faqe të lë të kuptosh se ata marrin përsipër sulmin kibernetik dhe theksojnë se nuk kanë për synim të cënojnë interesat e popullit shqiptar.
“Kur bëhet fjalë për qeverinë dhe politikanët e korruptuar të Shqipërisë, kjo është një histori tjetër. Shqipëria nuk është shtëpi për Terroristët dhe Mashtruesit”, shkruan faqja anonime.
Gjithashtu, ata kanë publikuar edhe dokumente të tjera të individëve të ndryshëm duke nisur që nga certifikata e martesave, certifikatat e vaksinimit, siç është në rastin e dy ukrainasve të cilët janë vaksinuar me Sinovac në Sarandë.
Logoja e përdorur nga përdoruesit shfaq një shqiponjë që kap në kthetrat e saj Yllin e Davidit, e cila i referohet flamurit të Izrael-it. Këto detaje bëjnë të mundur që të identifikohet edhe origjina e tyre, pra Irani.
Mes postimeve mund të gjenden edhe dosje për personelin e AKSHI-t duke lënë të kuptohet se ata janë cenuar të parët nga ky grupim.
Kryeministri Edi Rama deklaroi pak ditë më parë se pas sulmit që rrëzoi për 3 ditë të gjitha faqet e shërbimeve dhe ato të institucioneve ka ardhur nga jashtë dhe se qëndronin shtete të forta dhe jo të parëndësishme.
“Sulmi është i organizuar nga një shtet, është një shtet mbrapa këtij sulmi. Nuk jemi ne në gjendje të identifikojmë ne shtetin. Dy janë shtetet që dyshojmë. E them këtë, për të thënë që sulmi është jashtëzakonisht kompleks dhe agresiv. Dhe sistemet nuk kanë çeduar në aspektin e shkatërrimit të tyre, nuk janë zhdukur të dhënat e shtetit, aq më tepër që ato nuk rrinë ashtu siç e imagjinojnë njerëzit. Sepse AKSHI nuk mban të dhëna. Jemi në kushtet e një sulmi kibernetik tepër të sofistikuar që ka përfshirë në pjesën e kundërsulmit NATO-n. Po punohet me një skuadër përtej skuadrës sonë”, -tha Rama.