Durrës, u konfliktuan në rrjetin social TikTok, plagosen me armë zjarri 2 të rinjtë, në kërkim autori. Plagoset Jurgen Vrioni e Arben Haxhiu, i përfshirë edhe Mario Vrioni, në kërkim Klajdi Mansaku. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:15 në lagjen nr.10, dy të plagosurit jashtë rrezikut për jetën. Të rinjtë u konfliktuan në TikTok dhe lanë takim për t’u sqaruar. 25-vjeçari qëlloi me armë drejt makinës së 21-vjeçarëve sapo janë afruar.
NJOFTIMI I PLOTË I POLICISË:
Në orët e para të mëngjesit, rreth orës 01:15 minuta, në lagjen nr. 10, dyshohet se për shkak të një konflikti në rrjetin social TikTok, shtetasi K. M., 25 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri, dhe si pasojë, janë dëmtuar lehtë shtetasit J. V., 21 vjeç, dhe A. H., 21 vjeç, të dy banues në lagjen nr. 12, Durrës. Nga veprimet e para hetimore rezulton se autori i dyshuar, shtetasi K. M., rreth orës 22.30, të mbrëmjes së djeshme ka debatuar në telefon me shtetasin M. V, (kushuri i shtetasit J. V.) dhe i ka lënë takim për tu sqaruar në afërsi të banesës së shtetasit M. V.
Shtetasi M. V., pasi ka marrë kushëririn e tij shtetasin J. V., dhe shtetasin A. H., (shok i përbashkët i tyre) ka shkuar në vendin ku e kishin lënë për tu sqaruar me shtetasin K. M. Ky i fundit sapo ka parë që këta shtetas janë afruar, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të makinës së shtetasit M. V., dhe është larguar menjëherë. Si pasojë, (dyshohet nga plumb rikoshet) janë lënduar lehtë shtetasi J. V., i cili pas ndihmës mjekësore ka dalë nga spitali, dhe shtetasi A. H., që aktualisht po merr ndihmë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë nga shërbimet e Policisë janë ngritur pika kontrolli, në akset rrugore, janë njoftuar pikat e kalimit kufitar, dhe po ushtrohen kontrolle në banesa e ambiente ku dyshohet se mund te fshihet 25 vjeçari me qëllim kapjen e tij.