Hamasi pranon marrëveshjen e Trump, për t’i dhënë fund luftës

0

Hamasi ka pranuar në parim planin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Gaza, i cili përfshin lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve izraelite, sipas burimeve të personave që janë në dijeni të çështjes, që folën për “Haaretz”.

Burimet thonë se Katari ka luajtur rol kyç në bindjen e Hamasit për të pranuar kornizën e marrëveshjes, dhe Trump shpreson ta finalizojë gjithçka me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, gjatë takimit të tyre të hënën.

Si pjesë e marrëveshjes për lirimin e të gjithë pengjeve – të gjallë dhe të vdekur – Izraeli do të lirojë qindra të burgosur palestinezë dhe do të tërheqë gradualisht forcat e tij nga Rripi i Gazës.

Në fund të qershorit, Izraeli po mbante 289 palestinezë me burgim të përjetshëm dhe 59 të tjerë me dënime mbi 30 vjet. Po ashtu, Izraeli mban 1,407 palestinezë të dënuar, rreth 2,500 të tjerë në pritje të gjykimit dhe rreth 2,300 banorë të Gazës të ndaluar – disa prej tyre të përfshirë në sulmet e 7 tetorit.

Sipas marrëveshjes, Izraeli do të heqë dorë nga çdo plan për të aneksuar Gazën, si dhe nga planet për ta shkatërruar Gazën ose për të dëbuar popullsinë palestineze, që jeton aty.

Sipas tre burimeve të njohura me zhvillimet, pas sulmit të pasuksesshëm të Izraelit në Doha më 9 shtator, Emisari i Posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff – i afërt me familjen mbretërore të Katarit – rinisi përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

SHBA-të e kuptoi se koha që i kishte dhënë Netanyahut për të vazhduar ofensivën në Gaza ishte përdorur për veprime që destabilizuan Lindjen e Mesme dhe dëmtonin aleatët amerikanë në rajon, prandaj nuk mund ta mbështeste më tej.

Ndryshimi kryesor që ka sjellë Witkoff është rënia dakord e Hamasit për të liruar të gjitha pengjet që mbahen në Gaza, pa mbajtur disa prej tyre, si garanci që Netanyahu do ta respektojë marrëveshjen.

Katari beson se mbajtja e disa pengjeve nga Hamasi nuk ofron një garanci që lufta nuk do të rifillojë, por përkundrazi i jep Netanyahut një arsye për ta zgjatur luftën. Duke qenë se Izraeli dhe Netanyahu janë diplomatikisht të izoluar, Doha mendon se lufta do të marrë fund, sapo të lirohen pengjet. Pritet që Katari të sigurojë një letër të nënshkruar nga Hamasi, që dëshmon pajtimin e organizatës me marrëveshjen.

Njëkohësisht, SHBA-të po punojnë për një plan rindërtimi për Gazën, që pritet të udhëhiqet nga ish-kryeministri britanik Tony Blair. Ky plan është propozuar disa herë gjatë dy viteve të fundit, përfshirë edhe gjatë presidencës së Joe Biden. Nën këtë plan, vendet arabe do të marrin drejtimin për rindërtimin e Gazës.

Të martën, Trump u takua me udhëheqës kyç të botës arabe dhe myslimane, përfshirë Emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani dhe Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan. Gjatë takimit, udhëheqësit u angazhuan të mbështesin planin, si ushtarakisht, ashtu edhe financiarisht.

Administrata Trump shpreson që, pasi të përfundojë lufta në Gaza, Izraeli dhe Arabia Saudite të nisin negociatat për një marrëveshje paqeje, që do të përfshinte edhe një zgjidhje për çështjen palestineze.

Gjatë javëve të fundit, Uashingtoni dhe Riadi kanë zhvilluar diskutime të qeta mbi këtë çështje. Arabia Saudite ka mbajtur një profil të ulët këtë javë, me Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman, që nuk mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.