Hapet ekspozita mbi 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Türkiye-Shqipëri

0

TIRANË – Në Tiranë është hapur ekspozita me temë “100-vjetori i marrëdhënieve diplomatike Türkiye-Shqipëri, me dokumente dhe fotografi kushtuar marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ekspozita organizohet nga Instituti “Yunus Emre”-Tiranë, nën kujdesin e Ambasadës së Republikës së Türkiyes në Tiranë dhe në bashkëpunim me Kryesinë e Arkivave Shtetërore të Presidencës së Türkiyes dhe Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë ishin të pranishëm ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, drejtori i Institutit “Yunus-Emre” për Shqipërinë, Ömer Osman Demirbaş, kryetari i Kryesisë së Arkivave Shtetërore të Presidencës së Türkiyes, Prof. Dr. Uğur Ünal, drejtori i Drejtorisë së Rajonit dhe Vendeve Fqinje në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe ish-ambasador i Shqipërisë në Türkiye, Kastriot Robo, diplomatë të vendeve të ndryshme dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve turke dhe shqiptare.

Ambasadori Atay, duke theksuar se viti 2023 është një vit shumë i veçantë, në fjalën e tij tha se “Po festojmë njëqindvjetorin e shpalljes së Republikës Turke. Në të njëjtën kohë, ne festojmë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Türkiyes dhe Shqipërisë”.

Ambasadori turk tha se synimi është që përmes kësaj ekspozite të vizualizonin historinë e 100 viteve të marrëdhënieve diplomatike me disa tekste dhe fotografi për të lënë gjurmë në histori.

Ambasadori Atay theksoi se ekspozita do të jetë e hapur deri më 16 tetor dhe ftoj të gjithë miqtë tanë shqiptarë dhe ndërkombëtarë që nuk janë të pranishëm në këtë mbrëmje ta vizitojnë në ditët në vijim.

Kryetari i Kryesisë së Arkivave Shtetërore të Presidencës së Türkiyes, Ünal, në fjalën e tij tha se ekspozita përbëhet nga materiale dhe shkresa zyrtare kryesisht të Presidencës së Türkiyes, duke filluar nga viti 1923 dhe deri në ditët e sotme, duke përfshirë një periudhë gati 100-vjeçare.

“Kjo ekspozitë ka një rëndësi të veçantë sa i përket marrëdhënieve në këtë rajon, lidhjes së zonave të Anadoliit me Ballkanin, e treguar kjo nga materialet e ekspozuara në këtë ekspozitë. Ne jemi dëshmitarë se marrëdhëniet midis Türkiyes dhe Shqipërisë të cilat vijnë nga një histori e përbashkët nga periudha osmane, kanë vazhduar edhe me shpalljen e Republikës e deri në ditët e sotme”, tha Ünal.
Përfaqësuesi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Robo tha se ekspozita është shumë e rëndësishme sepse i referohet një periudhe 100-vjeçare të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Unë do të vija në dukje diçka specifike që 15 dhjetori i vitit 1923 shënon vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Türkiyes dhe Republikës së Shqipërisë, por ishin marrëdhëniet e para që vendoste Republika e Türkiyes me një shtet të huaj. Marrëdhëniet tona janë realisht marrëdhënie të partneritetit strategjik, mbështetur në një realitet historik, por bazuar edhe në një bashkëpunim të shkëlqyer mes liderëve tanë sot, midis Presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministrit Edi Rama”, tha Robo.

Ekspozita e cila do të qëndrojë e hapur për disa ditë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë përmban dokumente dhe fotografi që shpalosin rrjedhën e marrëdhënieve diplomatike midis Türkiyes dhe Shqipërisë, duke filluar që nga viti 1923.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu