Hapet tuneli numër 5 në hyrje të Unazës së Madhe, Balluku këshillon drejtuesit e mjeteve ku të kalojnë

0

Do të hapet mesnatën e sotme tuneli numër 5 në hyrje të Unazës së Madhe në zonën e Astirit në Tiranë, që sipas ministres Belinda Balluku do të sjellë lehtësi në qarkullimin e mjeteve.

Balluku ka informuar qytetarët se si do të bëhet kalimi përmes tuneleve, ndërsa kërkoi prej tyre që të ndjekin sinjalistikën e vendosur.

“Qytetarët të jenë të kujdessëhm në hyrjen nëpër tunele. Tuneli 5 është ardhja nga Durrësi për të shkuar në Astir dhe shkon drejt Lanës. Ndërsa Tuneli 3 është për ata që vijnë nga Durrësi për të shkuar në Astir dhe për të marrë kthesën në këtë zonë.

Tuneli 3 merr trafikun nga Astiri për ta çuar në Autostradë. Ndërsa tuneli numër 2 dhe 4 janë akset për Tiranë-Durrës, do hapen platformat që kalojnë mbi tunele, në nivelin 0 për të çuar njerëzit nga Tirana në Durrës ose nga Durrësi në Tiranë. Do të ketë edhe lulishte e rrugë për këmbësorët.

Ka ngelur vetëm seksioni i parë i tunelit 1 që kalon nga Astiri në Unazën e re, duhen 10 ditë për strukturimin dhe më pas 7 ditë për pajisjen me drita. Shumë shpejt jemi drejt përfundimit punimet në Unazën e Re,” tha ministrja e infrastrukturës, Belinda Balluku.

Ndërkohë që në lidhje me këto ndryshime ka reaguar ARRSH ku sqaron, “Në kantierin e punimeve te Sheshi Shqiponja ka përfunduar ndërtimi i të gjitha galerive (tuneleve) dhe do të hapet për qarkullimin e automjeteve edhe Galeria Nr. 5. Duke filluar në orën 00:01, data 04.09.2021 trafiku do të vijojë sipas lëvizjes definitive të parashikuar në projekt ku:

 Lëvizja e automjeteve nga autostrada (Durrës-Tiranë) në drejtim të rrugës “Dritan Hoxha” (Laprakë) dhe anasjelltas do të realizohet drejt në nivelin 0 të parashikuar në projekt.

Lëvizja e automjeteve që vijnë nga autostrada (Durrës-Tiranë) në drejtim të Unazës së Madhe do të realizohet nëpërmjet Galerisë Nr. 5.

Dalja nga Tirana për mjetet që vijnë nga Unaza e Madhe drejt autostradës do të realizohet nëpërmjet Galerisë Nr.3

Dalja nga Tirana për mjetet që vijnë nga pjesa veriore (ish-kombinati, rruga “Josif Pashko”) drejt autostradës do të realizohet nëpërmjet Galerisë Nr. 4. #ARRSH #MIE”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu