“Hapja virtuale” e letrës së vulosur të shekullit 17 cilësohet si e jashtëzakonshme

0

Një letër nga 1697-a është lexuar për herë të parë duke e përdorur teknologjinë me rreze X. “Hapja virtuale” është vlerësuar si e jashtëzakonshme në studimin e dokumenteve historike

Për herë të parë në botë, në studimin e dokumenteve historike, një letër e pahapur që ishte shkruar më 1697 është lexuar nga studiuesit pa e thyer vulën.

Letra, e datuar më 31 korrik 1697 dhe e dërguar nga tregtari francez Jacques Sennacques në Lille për kushëririn e tij Pierre Le Pers në Hagë, ishte mbyllur me “bllokim letre”, proces gjatë të cilit letra palosej për t’u bërë vetë zarf, me qëllimin që të mbetej private. Është pjesë e një koleksioni prej rreth 2600 letrash të padërguara nga e gjithë Evropë në Hagë mes viteve 1689 dhe 1706, 600 prej të cilave nuk janë hapur asnjëherë.

Ekipi ndërkombëtar i hulumtuesve nga universitete si MIT, King’s College London, Queen Mary University London, Utrecht dhe Leiden, kanë punuar me skanime mikrotomografike me rreze X, që përdor rrezet në fjalë për të parë brendësinë e dokumentit, copë më copë, dhe krijon një imazh 3D. Ata kanë zbatuar algoritme kompjuterikë për skanimet që iu mundësoi të depërtonin në brendësi të letrës pa e hapur atë dhe zbuluan që Sennacquesi i kërkonte kushëririt të tij një kopje të certifikuar për afishin e vdekjes së njëfarë Daniel le Persit.

“Ka ca javë prej kur të shkrova me qëllim që të kërkoja prej teje të më bëje një fragment të legalizuar për vdekjen e Daniel le Persit, pa marrë përgjigje nga ju”, shkruan letra. “Po të shkruaj për herë të dytë me qëllim që t’ju kujtoj për vështirësitë që i pata marrë në emrin tuaj. Është me rëndësi për mua të kem këtë ekstrakt dhe do të më bëjë nder të madh ta prokuronit atë për mua e të më dërgonit në të njëjtën kohë lajme për shëndetin tuaj e të gjithë familjes”.

Grupi i kërkuesve, që përfshinte historianë, konservues dhe shkencëtarë, i kanë botuar gjetjet e tyre të martën në një artikull në “Nature Communications”. Ata thonë se kjo është hera e parë që një letër e pahapur nga Evropa e kohës së Renesancës është lexuar pa e thyer vulën e saj apo dëmtuar në ndonjë mënyrë. Është me rëndësi të jashtëzakonshme për studimin e dokumenteve historike për shkak se palosjet e kutitë përbëjnë dëshmi me vlerë për historianët dhe konservuesit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu