Deputeti i Partisë Demokratike, Helidon Bushati ka denoncuar projektin për ndërtimin e pjesës së mbetur të Unazës së Re në Tiranë me vlerë 130 milionë euro.
Sipas Bushatit tenderat janë të parafiksuar si llokma në tryezën e oligarkëve, por faturën e paguajnë qytetarët shqiptarë. Deputeti shkruan se unaza e korrupsionit do të vazhdojë të denoncohet edhe më fort me fakte dhe prova.
“ARRSH e Ballukut do të zhvillojë 7 tendera për ndërtimin e pjesës së mbetur të Unazës së Tiranës, me vlerë 130 milion euro.
Tenderat janë të parafiksuara si llokma në tryezën e oligarkëve, por faturën e paguajnë qytetarët shqiptarë përmes taksave të tyre, që rriten përditë.
Çdo llokmë tenderi të kësaj unaze 20 milion euro për kilometër futet në barkun e korrupsionit endemik të Edi Ramës që qeras oligarkët.
Unaza e Korrupsionit të Edi Ramës do të denoncohet edhe më fort, me fakte e prova, për prokurorinë e paralizuar përballë korrupsionit që ka kapur shtetin,” shkruan Bushati në Facebook.