Deputetja e PD Merita Bakiu është nisur për në qytetin e Krujës, pasi është njoftuar për një situatë kritike. Me dhjetëra banorë janë shtruar njëkohësisht në spitalin e Krujës dhe disa prej tyre janë nën terapinë e serumit.
Dyshohet se qytetarët janë helmuar përmes ujit të pijshëm. Së fundmi, atje është bërë një përurim elektoral në ujësjellës dhe uji ka ardhur i ndotur vazhdimisht.
170 qytetarë kanë përfunduar në spitalin e Krujës me shenja helmimi, që dyshohet të ketë ardhur si pasojë e ujit të pijshëm.
Mësohet se qytetarët janë paraqitur në Urgjencë janë nga të gjitha grupmoshat me pothuajse të njëjtat simptoma diare dhe të vjella. Si pasojë e fluksit të lartë të qytetarëve spitali është mbushur përtej kapacitetit të shtretërve.
Vlen të theksohet se qytetarët janë banorë të lagjeve të ndryshme të qytetit, gjë kjo që rrit ndjeshëm dyshimet se ata mund të jenë helmuar nga uji i rrjetit, i cili në Krujë konsumohet masivisht.
Sipas mjekëve, kemi të bëjmë me intoksikim alimentar, por origjina e tij mbetet për t’u verifikuar, ndërsa ISHP-ja ka marre në analize mostrat e ujit të pijshëm.