Pak para se të vinte mesnata, disa të rinj qëndronin rreshtuar jashtë dyerve të një prej klubeve më të zë të jetës së natës në kryeqytet. Era pranverore kthen sytë nga ritualet e dikurshme, kur pelegrinët e jetës së natës përzgjidhnin skenat e tyre për të kaluar fundjavën…
Por ky është ende një kujtim i largët. Një udhëzim i ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi me datë 19 korrik 2021, ende nuk lejon asnjë mjedis shërbimi, përfshirë këtu edhe klubet e natës dhe diskot për të vijuar aktivitetin me muzikë.
Njësoj si Hirushja që nxitoi për tu kthyer në shtëpi, kushdo që ka dëshirë për të dalë një fundjavë në Tiranë por edhe në qytetet e tjera duhet të respektojë orarin 23:00, në të kundërt, kapet në paligjshmëri.
Vetëm javën e fundit, dy ngjarje të rënda u regjistruan në dy klube nate në Tiranë dhe Sarandë. Me deklarimin se këto aktivitete nuk lejohen, Policia e Shtetit sqaroi disa ditë më parë se personi që plagosi Shkëlqim Metolin në një klub nate u largua, por nuk dha asnjë shpjegim se kush i lejoi të rinjtë të mblidheshin në vendin ku ndodhi ngjarja.
Po njësoj edhe në Sarandë. Edhe pse klubi “Orange” është skeduar tashmë si një nga vatrat e nxehta ku vitin që shkoi krisi arma, sërish klubi vazhdon të jetë hapur, pa i hyrë gjembi në këmbë.
Ndërkohë paralelisht, janë me qindra biznese, lounge bar që penalizohen nga ky udhëzim. Duke qenë të “njerkës”, ata detyrohen të ulin muzikën ndërsa klientët e tyre ia mbathin për të shkuar në ambientet ku ajo lejohet.
Por kush i garanton këto biznese duke mos marrë masa për mbylljen e tyre?
Ndalimi i jetës së natës në Shqipëri ka shkaktuar një tjetër efekt. Duke mos lejuar muzikën, këto klube tashmë veprojnë në paligjshmëri, ndërsa Policia kalon dhe bën sikur nuk i sheh. Paligjshmëri që është mbushur me ilegalitet, me ambiente që nuk kontrollohen dot nga autoritetet dhe ku më shumë sesa Polici, tagër ka bodygardi tek dera.
Në një tjetër klub nate në Tiranë, 3 javë më parë ka ndodhur një tjetër ngjarje e rëndë, e cila ende nuk është zbardhur. Edhe në këtë rast, kufizimi i muzikës nuk e zgjidhi problemin.
Edhe pse vonë, a nuk do të duhet që udhëzimi të ndryshonte. A është problemi te muzika, apo te detyrimi i bizneseve që duan të mbijetojnë duke korruptuar edhe Policinë. Realisht, kujt i shërben ky udhëzim?
Pjesë nga udhëzimi i MPB:
Klubet e natës, diskot, lounge-baret dhe çdo lloj shërbimi i kësaj natyre në mjedise të mbyllura apo të hapura, do të vazhdojnë të jenë të mbyllura. Ky detyrim është përcaktuar në Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19, i ndryshuar, me Aktin Normativ Nr. 30, datë 20.07.2020 në pikën 7/1, të nenit 1 të tij. Muzika ndalohet në çdo mjedis shërbimi pas orës 23:00. Ky rregull është përcaktuar në Urdhrin e Ministrit të Brendshëm nr. 284, datë 19.07.2021 “Për caktimin e orarit të ndalimit të muzikës”, në bazë të kompetencës që i ka dhënë në Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 të ndryshuar me Aktin Normativ Nr. 23, datë 26.05.2021, në germën “a” të nenit 1 të të cilit përcaktohet se: “Orari i ndalimit të muzikës në mjediset e shërbimit përcaktohet rast pas rasti me urdhër të Ministrit të Brendshëm, pas rekomandimit të Komitetit të Përkohshëm për Infeksionin e Përhapur nga Coronavirusi”.





