“Hesht Rama se ne jemi në zi!”/ Vrasja e 7-vjeçares në Himarë, Lapaj: Nesër duhet shpallur ditë zie

0

TIRANË– Aktivisti Adriatik Lapaj ka deklaruar se dita e nesërme duhet të shpallet ditë zie. Në një reagim publik, aktivisti shprehet se kryeministri Edi Rama po hesht pasi nuk ka aspak ndjeshmëri për të kuptuar dëshpërimin që po kalon sot çdo person për humbjen e vajzës së vogël. Sipas tij, kryeministri po hesht pasi e di shumë mirë se atij nuk do t’i ndodhë asgjë.

REAGIMI I PLOTË:

Hesht Edi! Hesht kur nuk ke ndjeshmërinë për të kuptuar dëshpërimin që kaploi sot të madh e të vogël! Hesht kur nuk gjen dot fuqinë për të pranuar fajin e për të marrë veprime të ashpra që zgjidhin problemin! Hesht Edi se sot jemi në zi! Madje shpalle nesër zyrtarisht ditë zie se jeta e vogëlushes për nga padrejtësia si iku e trauma që shkaktoi te ne është dhimbje që preku çdo zemër të shëndetshme. Hesht Edi se sot nuk vdiq thjesht një fëmijë, por vdiq edhe më shumë besimi i popullit te mundësia që ky vend mund të ndryshojë!

Sipas teje ne as kur na vrasin nuk kemi të drejtë të flasim?! Ti nuk hesht Edi se ti e di që nuk të ndodh gjë. Ndaj guxon dhe sillesh keq dhe në ditë si kjo. Sot normalisht populli duhet të të kërkonte llogari. Por, ti e di që nuk ndodh. E di ti se bashkë me ata të tjerët e keni lidhur në 700 zinxhirë. Keni ngritur një sistem të lig balte që ju ruan nga çdo reagim. Nuk hesht se e di që nëse ndokush nga ne ngrihet e t’i sjell njerëzit te dera ti dhe tellallët e tu që janë kudo do nisni të thoni: “Ata që u ngritën bëjnë politikë me të vdekurit”. Pastaj ata që janë si ty por që sot ndodhen në opozitë të trembur se mos u ikën monopoli i opozitarizmit do vazhdojnë ison e do thonë: “I ka ngritur Edi këta që të shfryjnë revoltën popullore”. E kështu ti Edi dhe ata si ty përballë teje na mbani ne nën sundim. Na shtypni. Na vrisni. Pastaj na kërkoni dhe të heshtim duke na thënë ne se po merremi me politikë. Hesht ti Edi se sot jemi në zi.

Çfarë ndodhi dje?

Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 gusht në Plazhin e Potamit në Himarë, ku 7-vjeçarja Jonada Avdia, u godit për vdekje nga gomonia teksa po lahej në det. E mitura u përplas fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend. Fëmija, me origjinë nga Tropoja jetonte me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime. Drejtuesi i gomones është shefi i policimit në komunitet në Elbasan, Arjan Tase u shoqërua në polici, ndërsa drejtuesi i Policisë së Shtetit, Gledis Nano e përjashtoi Arjan Tasen përfundimisht nga policia.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu