Gazetarja Klodiana Lala duke folur për veprimet hetimore të fundit nga SPAK, bazuar në urdhërat e GJKKO-së, tha se ka pasur një urdhër për kontroll personal ndaj Ajola Xoxes, bashkëshortes së kryebashkiakut Erion Veliaj. Lala në emisionin “Kjo Javë” në News24 me Nisida Tufën, tha se kontrolli personal do të thotë që i merret telefoni dhe ai zbërthehet në kuadër të hetimeve që kryen Prokuroria e Posaçme.
Në vijim Lala tha se gjithashtu ka pasur një kontroll banese në banesën e Arbër Veliajt, vëllait të Kryebashkiakut dhe një kontroll në Qendrën Harabel që drejtohet nga Ajola Xoxa. Lala tha se agjentët e BKH kanë marrë ato materiale që i shërbejnë hetimit të nisur.
Gazetarja tha se SPAK po heton rolin e kryebashkiakut Erion Veliaj në atë hetim që ka nisur SPAK. Një ditë më parë, SPAK përmes një deklarate tha se “Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar informon se janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal. Duke qenë se hetimi ndodhet ende në fazën paraprake nuk mund të publikojmë të dhëna apo informacion të mëtejshëm në këtë moment”.