Njoftimi i Policisë:
Tiranë Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të kontrollit të territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, bazuar dhe në informacione të siguruara në rrugë policore, se disa shtetas hidhnin mbetje inerte në zonën e Picallës, organizuan punën për kapjen e tyre. Në fshatin Picallë, shërbimet e Policisë kanë ndaluar dhe arrestuar në flagrancë shtetasit L. Sh., 35 vjeç dhe A. Sh., 27 vjeç, të dy banues në Tiranë. Këta shtetas janë konstatuar duke transportuar me dy mjete tip kamion, mbetje inerte, të cilat do t’i hidhnin në fshatin Picallë, jashtë vendit të përcaktuar nga autoritetet vendore. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy kamionët me të cilët po transportoheshin mbetjet. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.