Historia tronditëse e vetëvrasjes së Qani Muçës në paraburgim, u harrua nga drejtësia

0

Më 19 maj 2025, në burgun e Fushë-Krujës, një i paraburgosur i dha fund jetës së tij. Qani Hamit Muça, një qytetar nga periferia e harresës shtetërore, u vetëvar në tualetin e dhomës ku mbahej, pas një varg tragjik ngjarjesh që duhet të tronditin ndërgjegjen e çdo institucioni përgjegjës në këtë vend.

Shtëpia e Qani Muçës u shkatërrua nga IKMT. Në kushtet e dëshpërimit dhe revoltës ekstreme, ai qëlloi me armë në drejtim të forcave të ndërhyrjes, një akt i rëndë, por që buronte nga një dramë edhe më e thellë: humbja e strehës, e sigurisë, e gjithçkaje që një qytetar i varfër konsideron jetë. Nga ai moment, nis kalvari i një trajtimi që më shumë ngjan me ndëshkim institucional se me drejtësi: arrest, paraburgim dhe një harresë e plotë ndaj gjendjes së tij mendore e emocionale.

Përgjegjësia nuk është vetëm te vetëvrasja , ajo është zinxhirore:

Te vendimi për prishjen e banesës, shpesh pa transparencë, pa alternativa dhe pa ndjeshmëri sociale.

Te policia që e arrestoi, por nuk raportoi gjendjen e rënduar të qytetarit.

Te prokuroria që kërkoi masën e arrestit si zgjidhje standarde.

Te gjykata që e firmosi si rutinë.

Te drejtoria e burgjeve dhe stafi që nuk monitoroi gjendjen e tij psikologjike pas një traume të thellë.

Shteti shqiptar ka një problem të madh: ka më shumë mekanizma për të rrënuar qytetarin, sesa për ta mbrojtur atë. Ka më shumë fadroma sesa punonjës socialë. Më shumë pranga sesa psikiatër. Më shumë zyrtarë që firmosin, sesa njerëz që dëgjojnë.

Kjo vetëvrasje është më shumë sesa një akt dëshpërimi. Është një akt-akuze. Një kambanë alarmi për një sistem drejtësie që nuk parandalon tragjeditë, por shpesh i ushqen ato me indiferencë.

Kërkojmë hetim të thelluar dhe të pavarur, që të analizojë të gjithë zinxhirin e vendimmarrjes dhe dështimeve institucionale në këtë rast.

Sepse drejtësia që nuk arrin të mbrojë jetën, nuk është drejtësi – është abuzim i heshtur me pushtetin.